Një grua ka nxitur goxha debat në platformën Reddit pasi zbuloi se e la bashkëshortin pas shakasë së tij në ditën e dasmës. Gruaja tha se bëri kërkesë për divorc dy ditë pas martesës, pasi partneri e shtyu atë në tortën e dasmës në formë "shakaje".
Nusja shpjegoi se disa muaj përpara ceremonisë së dasmës, e kishte kapur partnerin që shihte video shakash ku nuses i përplaset fytyra në tortën e dasmës. E reja i kishte kërkuar që të mos e provonte diçka të ngjashme sepse do e linte.
"Gjithçka shkoi pa probleme deri në prerjen e tortës. Të gjithë të pranishmit po na shikonin në momentin e prerjes së tortës, fotografi ishte përpara nesh, gjithçka në rregull,” tha nusja.
"Papritur ndjeva një dorë në pjesën e pasme të kokës, duke më shtyrë fillimisht në tortë. Jo vetëm grimi im, por i gjithë fustani i nusërisë u prish dhe e gjithë salla qeshi me mua, madje burri im më shumë nga të gjithë," vazhdoi ajo.
E poshtëruar, ajo tha se më pas e goditi burrin para të gjithëve dhe u largua nga dasma me lot në sy. “Vendosa të ndahem prej tij dhe të bëj kërkesë për divorc. Njoftova burrin dhe familjen time për këtë”, ka shkruar ajo.
"Ai thjesht më kërkoi që të mos e bëja këtë sepse ishte vetëm një shaka e padëmshme. Të gjithë më thonë se motivi është qesharak, por unë e shoh ndryshe këtë situatë. Nëse ai bën diçka të tillë kundër kërkesës dhe dëshirës sime, si mund t’i besoj në vazhdim për vendimet më të rëndësishme të jetës,” argumenton e reja.
Njerëzit, gjithashtu janë të ndarë në komente dhe qëndrimet e tyre pasi u njohën me historinë. Disa e përkrahin, e plot të tjerë i dalin kundër divorcit pas shakasë, ndoshta pak të tepruar, por jo deri në ndarjen e çiftit.