Të tjera detaje janë publikuar për rastin tragjik të Bedrie Lokës, nënë e katër fëmijëve e cila dyshohet se i dha fund jetës duke pirë fotoksinë.
Pavarësisht se në fillim u raportua se shkak i vetëvrasjes ishte bërë denigrimi i figurës së saj përmes një llogarie të hapur në TikTok, vëllai dhe djali i të ndjerës zbulojnë se ajo ishte viktimë e dhunës në familje.
Sipas djalit të madh të Bedries, pak ditë para tragjedisë, kur i ati, Xhemal Loka, u kthye në shtëpi, “e hodhi mamanë në makinë dhe e dërgoi në drejtim të Durrësit me shpejtësi duke i thënë ‘do të të vras’.”
“Babai dhunonte dhe shantazhonte vazhdimisht nënën,” mësohet të jetë shprehur vajza e të ndjerës para grupit hetimor.
Avdi Bushi, vëllai i madh i Bedries, deklaron se motrën nuk ia vrau TikToku, por bashkëshorti i saj, “me të cilin nuk gëzoi asnjë ditë të bardhë gjatë 23 viteve martesë”. Sipas tij, motra u dhunua dhe kishte shenja në trup.
Rezulton se 45-vjeçari Xhemal Loka ka qenë i dënuar për drogë në Francë, më pas është dëbuar nga ky shtet dhe ka emigruar ilegalisht në Greqi. Aktualisht ai ndodhet pas hekurave, pasi akuzohet se ka çuar drejt vetëvrasjes gruan e tij, ndërsa në banesë i është gjetur dhe arsenal armësh.
Burimet ndihëmese: BalkanWeb, Top Channel