Pjesa më e madhe e të ardhurave të familjeve shqiptare shkon për t’u ushqyer, ndërkohë që çmimet e produkteve janë më të shtrenjta se ato të vendeve të rajonit.
Sipas të dhënave të fundit të Eurostat, zyra statistikore e Bashkimit Europian, shpenzimet nominale për ushqime (të matura sipas standardit të fuqisë blerëse), në Shqipëri ishin sa 31% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Kjo shifër është më e larta në Europë dhe shumë më tepër sesa mesatarja 6.3% e PBB-së së Bashkimit Europian.
Çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë sa 83.7% e mesatares së Bashkimit Europian, e treta më e shtrenjtë në rajon, pas Serbisë (89.7) dhe Malit të Zi (85.8%). Më të lirat në rajon janë çmimet në Maqedoninë e Veriut, me 68.2% e mesatares së BE-së.
Për bukë e drithëra, në Shqipëri shpenzohet 4.3% e PBB-së, nga 1.1% që është mesatarja europiane. Për qumësht, djathë dhe vezë, shpenzimet janë sërish rekord në 5.1% të PBB-së, nga vetëm 1% që është mesatarja e BE-së.
Familjet shqiptare i blejnë këto produkte 11.8% më shtrenjtë sesa mesatarja europiane, ndër më të shtrenjtat në Europë, ndonëse jemi një vend ku bujqësia sjell rreth 20% të ekonomisë.
Shpenzimet rekord janë dhe për vajra e yndyra, në 1.5% të PBB-së, nga 0.2% që është mesatarja europiane, ndërkohë që këto produkte blihen gati 9% më shumë sesa mesatarja europiane. Për fruta e perime shpenzohet 11.8% e PBB-së, sërish më e larta në Europë, nga 1.4% që është mesatarja europiane. Edhe për mishin, Shqipëria kryeson, me shpenzime që arrijnë në 6% të PBB-së, nga 1.4% që është mesatarja e BE-së.
Për peshkun shpenzimet janë sa 1.1% e PBB-së, nga 0.4% mesatarja e BE-së. Peshku kushton sa 81% e mesatares europiane. Ndonëse Shqipëria është një vend bregdetar, në Maqedoninë e Veriut mund ta gjesh peshkun më lirë, sa 68.5% e mesatares së BE-së, sipas Eurostat.
Artikullin e plotë e lexoni në Monitor.al.