
Kina fillon stërvitjet ushtarake “të pashembullta” rreth Tajvanit

Kina ka filluar stërvitjet ushtarake në shkallë të gjerë detare dhe ajrore rreth Tajvanit, pas një vizite të diskutueshme të politikanes amerikane Nancy Pelosi. Manovrat ushtarake të Kinës filluan të martën mbrëma pas mbërritjes së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, në Taipei, gjë që ka zemëruar Pekinin.
Tajvani tha se Kina, e cila e konsideron Tajvanin si të sajën, po përpiqej të rishikonte status quo-në në rajon dhe kishte thyer rregullat e Kombeve të Bashkuara. Pekini më vonë njoftoi një sërë masash hakmarrëse ekonomike të martën në përgjigje të vizitës së Pelosit, gjë që ka bllokuar disa tregti ndërkombëtare me ishullin.
Kryeministri i Malit të Zi nënshkruan fshehurazi kontratën e diskutueshme për pronën e kishës

Qeveria malazeze dhe Kisha Ortodokse Serbe nënshkruan një marrëveshje të diskutueshme pronësie të mërkurën, duke shkaktuar protesta dhe kërkesa nga opozita për një votë mosbesimi të menjëhershëm parlamentar. (Nëse një kryeministër humbet një votë mosbesimi, e gjithë qeveria duhet të japë dorëheqjen).
Kjo mund të bëjë që qeveria e udhëhequr nga kryeministri Dritan Abazovic, me origjinë shqiptare, dhe partia e tij URA, të bjerë vetëm gjashtë muaj pas ardhjes në pushtet.
Kontrata i mundëson Kishës Ortodokse Serbe të marrë pronësinë mbi atë që pretendon se është pronë e saj, duke përfshirë parcela toke, por edhe kisha dhe manastire, për të cilët malazezët etnikë besojnë se i përkasin Kishës Ortodokse Malazeze të panjohur kanonikisht.
Islandë: Vullkani shpërthen pranë aeroportit kryesor për herë të dytë brenda një viti

Një vullkan në jugperëndim të Islandës filloi të shpërthejë të mërkurën, thanë autoritetet meteorologjike të vendit - vetëm tetë muaj pas përfundimit të shpërthimit të tij të fundit. Zyra Meteorologjike Islandeze u bëri thirrje njerëzve që të mos shkojnë pranë vullkanit Fagradalsfjall, i cili ndodhet rreth 32 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit, Rejkjavik.
Shpërthimi në një luginë të pabanuar është jo shumë larg nga Aeroporti Keflavik, qendra ndërkombëtare e trafikut ajror të Islandës. Aeroporti qëndroi i hapur dhe asnjë fluturim nuk u ndërpre.
Shefi i OKB-së kritikon “lakminë” dhe “fitimet e majme” të kompanive të mëdha të naftës dhe gazit

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, denoncoi ashpër "lakminë" e kompanive të mëdha të naftës dhe gazit që po bëjnë fitime "të majme" në kurrizin e disa prej njerëzve më të varfër në botë. Guterres tha se kriza u shkaktua nga pushtimi i Ukrainës dhe u bëri thirrje qeverive kombëtare të tatojnë fitimet e mëdha të kompanive.
“E vërteta është se ne po shohim këto fitime të tepruara, të majme nga industria e naftës dhe gazit në një kohë kur të gjithë po humbasim para,” tha Antonio Guterres në një konferencë shtypi për raportin e tretë të OKB-së mbi pasojat globale të pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Pasaportat dixhitale: Finlanda do të testojë aplikacionin

Finlanda mund të bëhet vendi i parë në Bashkimin Europian që teston një aplikacion celular me kopje dixhitale të dokumenteve të udhëtimit. Shteti synon të testojë një aplikacion telefonik që do të mbante kopje dixhitale të dokumenteve të udhëtimit në vend të pasaportave tradicionale. Me këtë teknologji të re, pasagjerët mund të dërgojnë informacion tek autoritetet kufitare përpara se të shkojnë jashtë vendit.