Shqipëria

Erion Braçe propozon që grave në Shqipëri t’u njihet raporti i pushimit gjatë ciklit menstrual

Shkruar nga Anabel

14 Nëntor 2023

Erion Braçe propozon që grave në Shqipëri t’u njihet

Në fjalën e tij në Komisionin e Ekonomisë, ku u diskutua buxheti për Ministrinë e Shëndetësisë, Erion Braçe propozoi që vajzave dhe grave në Shqipëri t’u njihet e drejta për të marrë raport gjatë ciklit menstrual, raport që duhet të paguhet nga buxheti i shtetit. Ai propozoi gjithashtu që paketa higjieno-sanitare për ditët e ciklit të përjashtohet nga tatimi mbi vlerën e shtuar.

“A ka mundësi që grave dhe vajzave t’u njihet periudha e ciklit si periudhë sëmundjeje dhe e paguar? [Pra] raporti të jetë i paguar nga buxheti i shtetit, sepse realisht po e konsiderojnë sëmundje lart e poshtë dhe është mirë që një iniciativë të tillë, për të cilën unë mendoj se nuk kushton shumë, por që duhet kalkuluar, të përfshihet në iniciativat e Ministrisë së Shëndetësisë.” – propozoi Braçe.

Më vonë shtoi:

“E dyta, e cila është po kaq e rëndësishme: A ka mundësi që paketën higjieno-sanitare të grave dhe vajzave pikërisht për ciklin ta përjashtojmë nga tatimi mbi vlerën e shtuar? Sepse nuk i shton asgjë buxhetit të shtetit. Nuk po kërkoj atë që po ndodh në Europë që ta paguajë qeveria këtë gjë, një herë në muaj, por minimumi po kërkoj është që të përjashtohet nga tatimi mbi vlerën e shtuar.”

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Anabel Entertainment (@anabel.entertainment)

Në mbarë botën, pushimi menstrual aktualisht ofrohet vetëm në një numër të vogël vendesh, duke përfshirë Japoninë, Tajvanin, Indonezinë, Korenë e Jugut dhe Zambinë. Spanja u bë vendi i parë perëndimor që lejon gratë të marrin disa ditë "leje menstruale" nga vendi i punës çdo muaj. Mendohet se rreth një e treta e grave që kanë menstruacione vuajnë nga dhimbje të forta të njohura si dismenorrhea. Simptomat përfshijnë dhimbje akute abdominale, diarre, dhimbje koke dhe temperaturë.

Në gusht të vitit 2018, Skocia ishte shteti i parë në botë që vendosi të ofrojë falas produkte të higjienës vetjake për të gjithë nxënësit në shkolla fillore, gjimnaze dhe universitete.