Eneda Tarifa dhe basketbollisti Gent Lasku, të cilët konfirmuan lidhjen e dashurisë në korrik të këtij viti, ndanë në “Aldo Morning Show” në Tv Klan disa detaje të romancës së tyre.
Të dy kanë patur marrëdhënie të mëparshme prej të cilave kanë edhe fëmijë, ndaj siç duket lidhja në fillim ishte e vështirë për shkak të fëmijëve. Të pyetur se si e pritën fëmijët, këngëtarja u përgjigj:
“Nuk jemi as të parët, as të fundit. Të gjitha marrëdhëniet dhe lidhjet e tilla, të dyta, të treta, nuk e di, përmbajnë vështirësitë e tyre, kanë perkursin e tyre, duan kohën e tyre. S’u kemi fshehur gjë.”
“Duke pritur që të na kuptojnë, duke u treguar se sa e rëndësishme është jeta jonë, e secilit, por mbi të gjitha sa të rëndësishëm janë ata më shumë se çdo gjë tjetër dhe që kjo punë të shkojë mirë, duhet mbi të gjitha që prindërit të ndihen mirë,” shtoi më tej Eneda.
Basketbollisti theksoi se situata nuk ka qenë fort e lehtë.
“Ti shikon gjithë filmat dhe njerku ose njerka janë gjithmonë personazhet më negative të mundshme që mund të ketë prodhuar kinematografia botërore dhe kjo është për të ardhur keq. Edhe librat [gjithashtu]. Është një kulturë, një mendësi...Ne nuk e kemi pasur shumë të lehtë.”
Përpos fëmijëve, për të dy ka qenë i vështirë edhe presioni mediatik.
“Na kanë kryqëzuar. [Kanë shkruar portalet që] e ndau nga gruaja. Ne ishim dy njerëz të vetmuar [që ishim ndarë me kohë]. Gjërat kishin mbaruar,” tha Eneda. “Kjo është e vërteta e pastër,” shtoi në vijim Lasku.
Eneda Tarifa ka qenë një person shumë i rezervuar përsa i përket jetës private dhe Genti është partneri i parë me të cilin Eneda u përfol për një lidhje pas divorcit të saj me Erjon Zaloshnjës, me të cilin kishte një marrëdhënie 18-vjeçare.