Anabelizim

Vajzat dhe gratë shqiptare na tregojnë historitë e tyre të abortit

Shkruar nga Anabel

25 Shtator 2023

Vajzat dhe gratë shqiptare na tregojnë historitë e tyre të
Adobe Stock

 
Dje, në llogarinë e Anabelit në Instagram pyetëm vajzat dhe gratë shqiptare për përvojat e tyre me abortin dhe ato na treguan disa nga ndjesitë, historitë dhe arsyet se pse kishin marrë këtë vendim.
 
Më poshtë do të gjeni rrëfimet e tyre:
 
“3 në total. Dy me një partner se isha me të për shkak të seksit rastësor, 1 me burrin. Aspak e penduar, bëra zgjedhjen e duhur. Isha vetëm disajavëshe në të dyja rastet”.
 
“Abortova kur isha vetëm 16 vjeç. Partneri, sapo e mori vesh që isha shtatzënë, u zhduk, për t’u rikthyer pas 2 viteve”.
 
“Bëra abort 24 orë pasi dëgjova rrahjet e zemrës së bebushit. Diçka që s’do e harroj për gjithë jetën”.
 
“Kam bërë 2 aborte. Të dy menjëherë pas lindjes së dy djemve të mi. shpesh mendoj se si do të ishte po t’i kisha edhe ata, por momenti kur mbeta shtatzënë nuk ishte i duhuri. Askush nuk mund dhe nuk duhet të gjykojë një grua që ka marrë këtë vendim të dhimbshëm për krijesën brenda saj”.
 
“Bëra një abort në moshën 25-vjeçare. Pa dëshirë, por i dashuri nuk pranoi t’i dilte për zot atësisë. Isha disajavëshe, e bëra me pilula, pastaj me operacion se pata komplikime. Shumë e penduar për veprimin, e kujtoj dhe ende e vuaj”.
 
“Kam bërë 2 aborte. Njërin kur isha 18 vjeç. Kisha 2 muaj që e njihja partnerin. I dyti, pas 1 viti, me të njëjtin person. Sot kam 2 goca me të njëjtin burrë”.
 
“Vjet kam bërë një abort, e detyruar nga rrethanat. S’ka ditë që s’pendohem dhe them tani do e kisha në krahë. Gjëja e vetme që kam si kujtim është ekoja kur e kam parë për herë të parë dhe të fundit”.
 
“Ah, çfarë teme dhe pikërisht tani. Bëra abort në mars të këtij viti dhe tani rri çdo ditë dhe mendoj se kur do kishte lindur. Ishte ndjenja më e bukur në botë dhe e ndieja veten të bekuar. Ia ndjeva edhe zemrën. Kurrë s’do ia fal vetes që e abortova dhe gjithnjë e them që jam nëna e një engjëlli”.
 
“Gjithë jetën time kam qenë kundër abortit dhe s’e besoja kurrë që një ditë jeta do të më vendoste para një zgjedhjeje të tillë. Vendimi më i keq që më është dashur të marr. Akoma e mallkoj veten që e bëra. Kam 2 fëmijë dhe nuk e imagjinoj dot një shtatzëni të tretë. Do të mbetet gjithnjë një plagë për mua”.
 
“Pas 1 viti lidhjeje, kuptova që isha shtatzënë. Fillova ta doja atë qenie, s’i thashë askujt, por po e shijoja shumë si fazë dhe nisa të ëndërroja. Abortova spontanisht, pa e kuptuar se si dhe ish-partneri më ndenji shumë pranë, gjë që s’e prisja. Mezi pres të bëhem nënë dhe sa herë e kujtoj, ndihem keq dhe më duket sikur ndodhi për fajin tim”.
 
“Kam bërë një abort dhe e kam kaluar mirë. Kam pasur mbështetjen e partnerit dhe e tejkaluam bashkë. Tentuam sërish pas disa muajsh dhe sot kam një vajzë 4 vjeçe”.
 
“Abort spontan para një jave. E doja shumë në fakt, u mërzita shumë 2-3 ditët e para, por çuditërisht e kapërceva dhe mezi pres të tentoj sërish për një bebe”.
 
“Isha 21 vjeç. Kur zbulova se isha shtatzënë, po bënim rreth 2 muaj me atë që sot e kam bashkëshort. U frikësova shumë, isha në master, pa punë, pa asgjë. Jam penduar shumë. Sa herë e kujtoj, qaj, edhe pse tani jam 29 vjeç dhe jam një vajzë. E vetmja gjë që dua është të kthej kohën pas”.
 
“Ishte duke i pushuar zemra dhe ishte e pashmangshme. Hapa sytë pas narkozës, preka barkun, e ndjeva bosh dhe në atë moment m’u thye zemra. 6 vite dhe ende s’e kam marrë veten nga trauma”.
 
“Abortova 20 vjeç. Ishte shtatzënia e parë dhe u shkatërruan shumë ëndrra, pasi ishin binjakë. Gjithmonë mendoj sa vjeç do të ishin tani…e kam gjykuar shumë veten, deri në momentin që linda binjakët e mi pas 13 vitesh dhe e kuptova që Zoti/ universi më ka falur dhe kështu, e fala dhe unë veten”.
 
“Ai ishte i martuar dhe unë nuk e dija që isha shtatzënë, pasi dhe ciklin e kam një herë në 1-2 muaj. Kam qarë shumë. E kam abortuar 2 muajshe e 8 ditë me ilaçe”.
 
“Unë s’kam kryer abort, por mami im po. S’kam folur kurrë, por e ndiej si fajin tim. Isha 14 vjeç dhe kisha turp që mami im të bëhej me fëmijë tjetër kur isha aq e rritur. Bashkë me babin e bindëm. Ajo e vuajti shumë asokohe dhe unë e vuaj shumë edhe pas 20 viteve”.
 
“Kam bërë 3 në total. Vetëm tek e para jam ndjerë keq. Më frikëson ndonjëherë dhe kjo më tremb, të kem fëmijë, se mbase nuk do e dua siç duhet”.
 
“Kam abortuar para disa muajsh vetëm sepse kushtet nuk ishin të tilla për të sjellë një fëmijë në jetë. Njëkohësisht, e vuaj, por edhe ndihem e lehtësuar. Momentet e para mendoja se nuk do të bëja kurrë fëmijë, por historitë që lexova tek Anabel po më japin forcë”.
 
“Kam bërë abort 7 javëshe, sapo e zbulova atërherë dhe ndihem ende në faj, sepse e doja, por s’kisha kushtet për ta mbajtur”.
 
Shënim: Të tjera histori mund t’i lexoni në Instastories e Anabel.
 
Aborti është një vendim personal, i cili ndërmerret nga çdo vajzë apo grua, nisur nga kushtet, rrethanat dhe dëshirat e ndryshme. Ka një sërë ndjesish që një grua apo vajzë përjeton pas vendimit për të bërë një abort, duke nisur që nga lehtësimi, te pikëllimi, inati, turpi, faji, apo edhe depresioni.
 
Aborti shpeshherë shoqërohet edhe me sindromën post abortit (PASS), e cila përbëhet nga një kombinim ndjesish. Shumë gra përjetojnë depresionin, ankthin, inatin dhe ndjesinë se kanë braktisur një fëmijë dhe kjo lë gjurmë për një afat të gjatë kohor.
 
Simptomat e PASS janë të ngashme me atë të PTSD dhe mund të manifestohet edhe si një pendesë në datën kur është kryer aborti apo mendime të shumta që lidhen me supozimet se si do të ishte jeta e bebushit. Fatkeqësisht, PASS është një sindromë e diskutueshme për shumë njerëz dhe ende nuk është pranuar plotësisht, duke u bërë shumë e vështirë për t’u kuptuar.
 
Cilat janë disa nga simptomat që tregojnë se ke një traumë nga aborti?
 
Qan pa shkak, sidomos kur sheh apo mendon për fëmijë
Depresion
Ndjenjë faji
Paaftësi për të falur veten
Pikëllim dhe trishtim
Inat dhe shpërthime inati
Mpirje emocionale
Libido e ulët
Frikë për të qenë nënë
Probleme me ushqimin
Abuzim me alkoolin dhe drogën
Makthe të shpeshta me abortin
Vetëbesim më i ulët
Mendime vetëvrasëse
Vështirësi në marrëdhënie me partnerin
Sulme paniku dhe ankthi
Parehati kur je pranë grave shtatzënë
 
Në disa raste, këto simptoma nuk zbehen me kalimin e kohës, por mbeten prezente, ndaj ajo që duhet të bësh në të tilla situata, është të kërkosh ndihmën e specializuar nga profesionistët.
 
Artikuj të sugjeruar: