Nëse jeni në një marrëdhenie, në të cilën jeni përfshirë shumë dhe do të dini se sa jetëgjatë do të jetë, e mira është t’u hidhni një sy 8 pikave të mëposhtme, që duhet thënë janë shumë të rëndësishme.
1. Përpos të gjitha të tjerave, jeni miq shumë të mirë
Nëse dy partnerë nuk e konsiderojnë pikë së pari njëri- tjetrin miq, lidhja nuk ka për të zgjatur shumë. Nëse e gjitha qëndron te pasioni, dramat apo seksi bëhet shumë e lodhshme. Ju, në radhë të parë, duhet të argëtoheni siç bëjnë dy miq, të silleni pa komplekse, të flisni për shumë gjëra dhe të ndiheni rehat.
2. Secili ka një jetë të tijën
Vërtet duhet t’i gjendeni njëri- tjetrit pranë, por bota jote nuk rrotullohet vetëm rreth tij dhe kjo vlen edhe për të. Një intimitet i shëndetshëm me partnerin krijohet duke pasur fillimisht një intimitet me veten tuaj. Nuk keni pse e bëni lidhjen mbytëse duke qëndruar gjithë kohës bashkë dhe duke menduar të vetmen gjë gjithë javës: Kur do takohemi?
3. Ndani disa mendime të përbashkëta
Kur e mendon, ajo thënia e rëndomtë “mospërputhje karakteri” nuk është aq kot. Nëse ju keni të njëjtat vlera apo bindje keni shumë më shumë mundësi të jetoni një histori dashurie të gjatë.
4. Nuk ngecni vazhdimisht në monotoni
Është e pashmangshme që në disa momente lidhja të mos bëhet monotone, por ideja është që të jetë dëshira për ta ndryshuar. Kur ju, ose të paktën njëri prej jush merr përsipër të realizojë dhe gjënë më të vogël si e si për të bërë diçka ndryshe, kjo tregon shumë. Vështirë se do t’i mërziteni njëri- tjetrit.
5. S’e keni problem të flisni për seksin
Në rast se keni pakënaqësi në lidhje me seksin, apo dëshira për të provuar gjëra të reja dhe nuk i flisni këto më partnerin, raporti juaj seksual do të zbehet dhe fill me të edhe gjithë lidhja juaj. Flisni dhe tregoni sa herë dëshiron të bësh seks, çfarë ju pëlqen dhe çfarë jo. Nëse keni në plan të jeni për një kohë të gjatë me të, atëherë si mendon ta shtyni me një marrëdhënie seksuale që çalon?
6. Debatet ju bashkojnë më shumë
Nuk ka çift që s’debaton e që s’ka probleme. Ideja është që pas gjithë debatit, çfarë ndodh? A largoheni ju përherë e më tepër, kuptoni që s’keni për t’u marrë vesh kurrë apo përfundoni duke e njohur më shumë njëri- tjetrin e duke respektuar mendimin e secilit. Ideja nuk është të bini dakord medoemos, ideja është thjesht: Unë e di që ti mendon ndryshe, por s’ka problem për mua!
7. Suksesi i partnerit nuk iu sjell pasiguri
Nëse një punë e mirë e partnerit ju bën të ndiheni inferiore me të, do të shihni sa e sa pasoja do të vijnë pas kësaj: Vetëvlerësim i ulët, agresivitete, zënka dhe pakënaqësi. Nuk keni pse, e vetmja gjë që duhet të bësh është ta mbështesësh partnerin për arritjet e tij dhe ndërkohë të shikosh të bësh diçka për jetën tënde.
8. E hidhni pas të keqen
Nëse pas gjithë zënkave, ngritjeve të zërit e hatërmbetjeve vjen përherë hareja, seksi i pajtimit dhe kuptoni që s’rrini dot pa njëri- tjetrin, eh, le të themi se mund të jeni prova e gjallë e dy shpirtrave binjakë.