Dhoma e gjumit është një nga ato hapësirat private në shtëpi, që nuk duhet të jetë vetëm e bukur estetikisht për të kënaqur sytë, por edhe funksionale. Hapësirat, këndet, perdet, orenditë dhe çdo objekt tjetër duhet të jetë i vendosur me shije për të garantuar jo vetëm stilin dhe tendencat, por edhe prakticitetin.
Sipas arkitektëve, janë disa gabime që duhet t’i shmangni nëse po mendoni të arredoni dhomën e gjumit siç duhet nga depërtimi i dritës natyrale brenda në hapësirën e dhomës tek ndriçuesit muralë e plot detaje të tjera.
Nëse doni t’i kurseni vetes më shumë dhimbje koke, këto janë shtatë gabimet sipas ekspertëve:
- Drita natyrale
“Drita natyrale është një nga elementët më të rëndësishëm të dizenjimit të një hapësire, veçanërisht të dhomës së gjumit,” thotë interior design, Marie Flanigan. “Kur plani i arredimit të dhomës kërkon vendosjen e shtratit dhe komodinave përpara dritares, unë zgjedh që krevati të mos jetë shumë i lartë për të shmangur bllokimin e dritës”.
- Dollapët e integruar
“Mos lejoni që hapësirat e vlefshme në dhomën e gjumit të shkojnë dëm! Investoni në zgjidhje të personalizuara për të integruar hapësira specifike. Kjo mund të përfshijë dollapë ose rafte të lartë nga dyshemeja deri në tavan, dollapët e integruar, apo edhe raftet e veçanta. Përshtatja lejon përdorimin efikas të çdo centimetri hapësire të disponueshme," thotë Ginger Curtis, themelues i një firme design-i.
- Raftet
Mund të duket sfidë, por ato vendet e fshehura, më saktë “skutat” janë të përsosura për të sistemuar objekte apo gjëra të ndryshme. Si mini bibliotekë për të vendosur libra apo kënde për të ekspozuar objekte të ndryshme si bimë, fotografi apo vepra arti, kjo është një gjetje për të maksimizuar hapësirat brenda dhomës.
- Qoshet
Një tavan i pjerrët ose një hapësirë e vogël në cep nuk duhet të jetë problem. Provoni të vendosni një shtrat të vogël ose të krijoni një kënd për fëmijët.
- Përmasat
“Dhomat e gjumit të mëdha kërkojnë mobilie të mëdha! Për t’u siguruar që dhoma juaj është komode dhe plot, sigurohuni që të zgjidhni pjesë që nuk do të duken shumë të vogla në hapësirën gjigante të dhomës," tha Curtis.
- Ndriçimi
Dritat e murit, llambat e tavolinës ose ndriçuesit e varur janë një opsion ideal për hapësirat e vogla. "Më parë duhet të vendosni për pozicionin e saktë të shtratit përpara se të instaloni dritat," këshillon arreduesja Irene Gunter.
- Pozicioni i shtratit
Ku është vendi më i mirë për shtratin? Marie Flanigan thotë: “Më pëlqen që shtrati të jetë pika qëndrore e dhomës. Për ta arritur këtë, shtrati duhet të pozicionohet larg ose përballë derës për të pasur ndikim maksimal vizual”.
Burimi: Livingetc