Fotot e ditës së parë të shkollës janë një traditë për shumë prindër. Qoftë dita e parë e kopshtit apo klasa e parë, dokumentimi i këtyre momenteve në jetën e fëmijëve dhe ndarja me një komunitet virtual është bërë një ritual i zakonshëm. Por, duhet shumë kujdes! Në këto foto me fytyra të buzëqeshura, mund të shfaqen detaje nga emri, mosha, klasa e fëmijës apo deri edhe emri i shkollës. Ky lloj informacioni mund të rrezikojë seriozisht familjen tuaj.
Djalli fshihet në detaje
Shpërndarja e fotove të preferuara në ditën e parë të shkollës së fëmijëve shpesh është një veprim që prindërit e bëjnë pa u menduar dy herë për rreziqet e mundshme ku vendos fëmijën apo familjen.
Në një video virale me mbi dy milionë shikime, Cathy Pedreyes një përdoruese e TikTok-ut, njëherësh edhe një eksperte e sigurisë kibernetike, thotë: "Nëse ndodh vetëm ditën e parë të shkollës, kjo nuk është aq e tmerrshme. Por, disa prindër ndoshta pa dashje publikojnë edhe emrin e fëmijës, emrin e mësuesit, shkollën, sportet ose aktivitetet e preferuara".
Mund të ketë informacione të detajuara që po ndani dhe që nuk e kuptoni se rrezikoni sigurinë e fëmijës dhe familjes tuaj.
Prindërit ndjejnë presionin e mediave sociale
Që nga fillimi i mediave sociale, prindërit kanë ndarë foto të familjes dhe momente të rëndësishme në jetën e tyre me një komunitet online. Fotot e ditës së parë të shkollës nuk bëjnë përjashtim dhe ato kanë fituar popullaritet të jashtëzakonshëm, ndaj ka një presion për postimin e tyre.
Marrja e telefonit, shkrepja e një fotoje spontane dhe ngarkimi ose shpërndarja është bërë aq e zakonshme saqë ndoshta nuk po marrim kohë të mjaftueshme për të reflektuar mbi pasojat e veprimeve.
Kimberley Bennett, një psikologe fëmijësh dhe krijuese e “The Psychologist's Child”, thotë se shpërndarja e imazheve të fëmijëve është bërë pjesë normale e kulturës moderne. Ndarja e fotografive i bën shumë njerëz të ndihen më të afërt me miqtë virtualë dhe u lejon atyre që nuk janë në gjendje t'i shohin të ndajnë në momente të gëzueshme dhe të rëndësishme.
Të qenit i ndërgjegjshëm për të ndarë informacione të caktuara për fëmijët është e domosdoshme. “Ndarja e momenteve intime të jetës së përditshme dhe jeta e fëmijëve tanë është normalizuar aq shumë sa nuk mendojmë për faktin se gjurma dixhitale e fëmijëve mbetet aty”, shton Bennett.
Mënyra më e sigurt për të shpërndarë fotot
Ju e vazhdoni traditën e nxjerrjes së fotografive të ditës së parë të shkollës pa rrezikuar familjen tuaj, duke qenë të vetëdijshëm se çfarë informacioni ndani dhe kush mund t'i shohë këto foto.
Burimi: Parents.com