Karakteristikat e Shenjave

Si është një grua Virgjëreshë, sipas astrologes së famshme Linda Goodman

Shkruar nga Anabel

23 Gusht 2023

Si është një grua Virgjëreshë, sipas astrologes së

Edhe ata njerëz që nuk janë të fiksuar me horoskopin, me siguri që janë kuriozë dhe kanë lexuar për karakteristikat e shenjave. Linda Goodman, astrologia më e shitur sipas New York Times, ka bërë një përshkrim të detajuar të karakteristikave të çdo shenje të zodiakut.

Kush është Linda Goodman? Mary Alice Kemery e njohur ndryshe dhe si Linda Goodman, lindi në 9 prill 1925 dhe ndërroi në moshën 70 vjeçare, në 21 tetor 1995.  Ajo ka qënë e para astrologe në listën best seller të New York Times. Libri i saj Linda Goodman’s Sun Signs ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm dhe u pasua më vonë nga Linda Goodman’s Love Signs (1978) që gjithashtu u fut në listën e librave më të shitur nga New York Times, duke vendosur një rekord në këtë industri: $2.3 milionë për të drejtat e autorit.

Gruaja Virgjëreshë

A e imagjinoni një grua të shenjës së Virgjëreshës si një vajzë të butë, të dlirë, të pastër si dëbora e saporënë? Mund t’ju shkatërrohen iluzionet pasi të vazhdoni leximin. Ajo nuk është nimfa mbi shkëmbin e bardhë që po kreh flokët e saj të artë. Më vjen shumë keq që ju prisha imazhin që kishit në mendje.

Një grua e shenjës së Virgjëreshës mund ta braktisë burrin për një mashkull që takoi rastësisht gjatë një udhëtimi të largët, të durojë fëmijën e partnerit të saj për hir të përfitimeve gjatë martesës dhe të përballet me një botë armiqësore me kokën lart. Kjo nuk është shumë e pastër apo vajzërore. Ka shumë për të mësuar në lidhje me këtë simbol të brishtë, të dlirësisë dhe pafajësisë femërore, sidomos kur shtylla e saj kurrizore është bërë prej çeliku.

Është shumë e vërtetë që në thelb ajo është e ndrojtur. Nuk ka vend për diskutim në këtë pikë. Vajzat Virgjëreshë nuk i gjen në salla të mëdha duke mbajtur fjalime. Atë nuk do ta shihni ndonjëherë të arrestohet sepse i jepte makinës e dehur, apo ta gjeni në ndonjë nga ato shfaqjet “burlesque”. Por një grua e shenjës së Virgjëreshës është një grua në të gjitha kuptimet. Ajo ka të gjitha dredhitë e nevojshme dhe armët e duhura, duke përfshirë vendosmërinë për të ndjekur lumturinë kudo që ndodhet, pavarësisht rrugës që duhet të ndjekësh. Disa gjemba dhe pengesa përgjatë rrugës nuk do ta bëjnë atë të lodhet apo të qajë dhe të kërkojë ndihmë.

Kur ju të dëgjoni ndonjëherë që një grua e shenjës së Virgjëreshës ka shkelur rregullat dhe normat e shoqërisë, sigurohuni që të lexoni midis rreshtave. Ajo në thelb ka një mendje të pastër dhe të kthjellët. Por kështu është edhe dashuria e saj. Dashuri e vërtetë! Dhe Virgjëresha nuk është e interesuar për asnjë lloj tjetër dashurie. Ajo do të ngjitet në malet më të larta dhe do të lundrojë në detet më të stuhishme, veshur me çizme dhe xhaketë jeshile, sapo Mërkuri të jetë bërë gati për të shpërthyer. Mos harroni, gjithashtu, se sunduesi i vërtetë i shenjës së Virgjëreshës, Vullkani i largët, është sunduesi i bubullimave dhe vetëtimave. Një grua e shenjës së Virgjëreshës që është e bindur se martesa e saj nuk është e rregullt dhe gjen një dashuri të re me asnjë të metë (ose mendon se nuk ka, e cila është e njëjta gjë), nuk do të hezitojë për të këputur lidhjet e mëparshme. Kur ajo përdor thikën, do të jetë po aq e ftohtë dhe e saktë si një kirurg. Ndonëse ajo urren që të shkatërrojë familjen, urrejtja e saj për hipokrizinë është akoma më e madhe.

Pasi ajo ta pranojë dashurinë si të vërtetë dhe ideale, pastërtia e konceptit të saj për këtë lidhje dashurore, qëndron mbi të gjitha copat e letrave zyrtare që ekzistojnë në botë. Ajo është e vetmja grua në zodiak që mund të jetë tmerrësisht praktike dhe romantike në mënyrë hyjnore në të njëjtën kohë. Në fakt, ky është një shembull i parashikueshëm sesi do të sillet në të vërtetë një Virgjëreshë, kur ndodhet para një vendimi të vështirë. Ajo do të vuajnë agoninë dhe sikletin në lidhje me dënimin që do t’i japë shoqëria për një çështje të tillë, por ajo nuk do ta ndryshojë kursin e saj të veprimit, sepse nuk mund të ndryshojë pastërtinë e motivimit. Ky është një shembull i përsosur i prakticitetit të elementit tokë që i përket shenja e Virgjëreshës, përzierë me elementin ajër, mendor, kërkuesin e idealesm - Mërkurin. Ka një nxehtësi tek dashuria e Virgjëreshës pasi është ndezur, që mund t'i bëjë me turp pasionet e shenjave të tjera të Diellit, nga intensiteti i madh i saj dhe qëllimi i vetëm që ka. Megjithatë, mund të duhet njëfarë kohë që ky zjarr të ndizet.

Ajo është një perfeksioniste, por kjo nuk do të thotë se vetë është e përsosur. Ajo ka të metat e veta, ndonëse përpiqet shumë që t’i fshehë ato. Kështu, vajzat Virgjëreshë kanë një besim të verbër se asnjë nuk mund t’i bëjë gjërat më mirë dhe me më shumë përsosmëri sesa ato. Ajo që mund t’ju tërbojë më shumë është fakti se zakonisht - asnjë nuk mundet. Ato janë shumë strikte edhe me korrektesën në orare. A e keni lënë ndonjëherë një grua të shenjës së Virgjëreshës të presë në një takim? Kur ajo është e mërzitur, nuk do ta shfaqë mërzinë duke u tërbuar dhe duke ju hedhur shishe në kokë, por mund të bëhet gërnjare dhe e bezdisshme, kur e keni mërzitur shumë. Gjithashtu mund të prisni edhe një sharje të sinqertë nga ana e saj. Mund të ketë ndonjë grua të kësaj shenje, që do të sillet si një grua telendare, por shumica e tyre nuk arrijnë deri në këtë pikë.

Çojini lule të bukura. Pranojeni që keni gabuar dhe mos hyni në debat. Do ta keni të kotë të debatoni me të. Elementi i saj është Toka, kështu që ajo i vlerëson krijimet e natyrës dhe një buqetë me lule do ta zbusë acarimin. Sa i përket faljes, bjerini shkurt dhe qartë. Virgjëreshat nuk janë aspak naive. Qartësia e mendimit të saj do ta kuptonte në moment një gënjeshtër të përpunuar dhe të mbushur me fjalë të bukura, ashtu siç do të dallonte menjëherë edhe hijen me të lehtë të buzëkuqit në jakën e këmishës. Ajo mund të ketë një mendje të padjallëzuar, por me siguri nuk është naive.

Unë nuk po nënkuptoj se do të fusë duart në lavatriçe për të kontrolluar rrobat, të paktën jo para se ju të jeni martuar. Pas kësaj, lavatriçja do të jetë në shtëpinë e saj dhe ajo nuk do të ndihet aq fajtore në lidhje me këtë veprim.

Kjo vajzë ka një bllokim mendor kur është fjala për të pranuar se ka gabuar, kështu që ju do të jeni aq të zgjuar sa ta merrni përsipër fajin menjëherë. Shumicën e kohës, ajo do të ketë të drejtë, sado frustruese mund të jetë kjo gjë. Pra, pse ta luftoni atë? Kur ta ktheni në gjendjen e saj normale, do t’ju japë një kënaqësi të tillë, sa nuk do të ketë më rëndësi se kush humbi dhe kush fitoi.

Nëse arrini ta duroni egon mashkullore të lënduar, atëherë mund të përfitoni nga këshillat e saj financiare, ose ta lini të merret me buxhetin. Ajo është praktike dhe e aftë për të kapur edhe gabimin më të vogël, që ndoshta edhe një financier mund të mos e dallonte.

Ju këshilloj që ta pastroni fjalorin tuaj dhe të fitoni një sjellje të përshtashme, kur të dilni në takim me një vajzë të shenjës së Virgjëreshës. Ajo nuk mund t’i tolerojë gjuhën e pahijshme dhe sharjet apo t’ju shohë ndërsa provoni supën me gisht. Mos flisni kur jeni duke ngrënë apo të përtypeni me zhurmë para fytyrës së saj. Praktikisht është sfidë që të hani me delikatesë para saj. Edhe përsa i përket veshjes, do kaloni sërish në skanerin e inspektimit. Pasi të filloni një lidhje dashurie me një grua Virgjëreshë, duhet të përgatiteni që të rruheni dy herë në ditë (kjo vlen edhe për pjesën e dushit). Kështu, para se të shkoni në takim me këtë vajzë - spërkatuni me locion pasi të jeni rruajtur, krihini flokët, vishni një këmishë të larë dhe të hekurosur, llustroni këpucët dhe kini vazhdimisht mendjen te sjellja juaj. Këtu kam edhe një këshillë shumë të vlefshme: herën tjetër që jeni me vonesë, bëni sikur nuk e dini sesa është ora.

Mos e pushtoni atë me sharmin tuaj fizik apo ta përqafoni në autobus; as mos nxitoni t’i merrni puthjen e natës së mirë në takimin e parë (madje as në të dhjetin) - prisni për momente më të mira. Në përgjithësi, duhet t’i ngadalësoni të gjitha skenat. Lëvizni ngadalë, me hir dhe shije, sikur po luani një pjesë në teatër. Duke folur për teatrin, ajo ndoshta do ta adhurojë atë. Madhështia dhe shkëlqimi, emocionet dramatike, janë si energji elektrike për të ndezur të gjitha emocionet e kontrolluara fort prej saj. Përveç kësaj, ajo është një kritike e lindur. Intelekti shumë i zhvilluar dhe shija e hollë artistike kombinohen për t’i dhënë asaj një perceptim të mprehtë.

Gjykimi është një nga fjalët kyçe. Ajo e pëlqen artin dramatik, koncertet dhe librat, por është një kritike e ashpër e përmbajtjes së çdo vepre. Është po kaq kritike edhe për mënyrën sesi e lidhni kravatën tuaj dhe si i krihni flokët, apo për atë që bëni dhe atë që thoni. Për të, të kritikojë është po aq e natyrshme sa është për ju të merrni frymë.

Virgjëresha është perfeksioniste e përjetshme dhe pa të, ne të gjithë do të ishim “rrëmujë dhe të çorganizuar”. Gjithsesi, nuk duhet ta kritikoni atë në asnjë lloj mënyrë. Kjo është kundër rregullave. Përfundimisht rregulli i artë nuk zbatohet këtu. Atë që ajo bën me ju, mirë është që të mos ia bëni asaj, sepse përbrenda është në dijeni të të metave të saj, siç është edhe për defektet tuaja - dhe e gjykon veten shumë shpesh dhe mjaft ashpër, prandaj për këtë arsye mendon se nuk ka nevojë nga askush për t’i treguar të metat. Në këtë rast, është shumë e vërtetë shprehja se është “kritiku më i ashpër i vetes”.

Një nga gjërat më të bukura e të qenit në një lidhje dashurie me këtë grua është se ajo do të merret me të gjitha gjërat që ju shqetësojnë, madje do ta bëjë me kënaqësi këtë gjë. Do t’ju lejojë ta shijoni faktin e të qenit mashkull në çdo moment.

Sa për çështjen e besnikërisë, mund të dëgjoni ndonjë rast të rrallë për një grua të shenjës së Virgjëreshës, që për arsyet e saj të paidentifikuara, ka vendosur ta braktisë virtytin në formë hakmarrje. Gratë e kësaj shenje, që gjatë jetës shkelin edhe në rrugën e imoralitetit, janë aq të zgjuara sa ta mbulojnë këtë të kaluar dhe sigurisht që një sjellje e tillë është një përjashtim. Ato kanë zemër më të ngrohtë sesa mendojnë njerëzit dhe emocione që mund të gjëmojnë nga ndjenjat, ndonëse nuk kanë zakon që t’i manifestojnë ato me bujë. Natyra emocionale e Virgjëreshave është e kontrolluar, por nuk është jo ekzistente. Mos e harroni këtë. 

Vajza e shenjës së Virgjëreshës është acaruese në lidhje më gjërat e vogla dhe përpikmërinë, por ajo gjithashtu mund të jetë krijesa më bujare dhe më e dashur në botë. Konsiderojeni perfeksionizmin e saj një virtyt, në vend të një vesi. Me gjithë këtë impulsitet të përhapur në botë, çfarë do të bënim ne pa sytë dhe mendjen e mprehtë të Virgjëreshës? Edhe pse ajo ju irriton me mënyrat e saj kritike, ka një cilësi pozitive që e bën të parezistueshme.

Mënyrat e saj modeste dhe të buta të sjelljes si dhe sytë me vështrimin e qartë, e kanë bërë punën e tyre më së miri. Ju ndoshta keni zbuluar edhe sesa gazmore është ajo kur njerëzit nuk merren me të dhe çfarë mendje e zgjuar ndodhet brenda asaj koke të bukur. Diçka shumë e bukur dhe e çuditshme njëkohësisht është fakti se kur gratë e shenjës së Virgjëreshës qeshin, shpesh tingëllon si kumbimi i këmbanave të vogla.

Ajo nuk ka asnjë iluzion, kështu që mos u përpiqni t’i shisni ndonjë ide të rreme. Për të, e vërteta është bukuria-dhe bukuria është e vërteta. Mësohuni me zakonin e saj për të zbrasur tavllën e duhanit çdo tre sekonda, silluni mirë me kotelet e saj (ose qenushët) dhe ajo do ta kryejë rutinën e përditshme me hijeshi femërore. Ajo do të ndajë emocionet dhe mendimet e saj me shumë pak veta, vetëm me ata që ka besim dhe shumë pak gjëra kanë vlerë të madhe për të. Me gjithë natyrën modeste dhe të ndrojtur, ajo është mjaft e fortë për t’u dhënë të tjerëve një strehë, kur retë e errëta mblidhen mbi kokën e tyre. Guximi dhe ndjenja e thellë e përgjegjësisë te gratë e Virgjëreshës shpesh vepron si një zamkë magjike për të mbledhur familjet e mëdha së bashku. Ajo ndoshta do të jetë një kuzhiniere e mirë, shtëpia juaj do të jetë e pastër dhe e rehatshme dhe sigurisht që ena prej qelqi mbi tavolinë do jetë e mbushur me mollë dhe jo me çokollata (të cilat janë të dëmshme për dhëmbët dhe shëndetin në përgjithësi).

Ju ndoshta kurrë nuk do ta shihni djalin e saj duke vrapuar rreth lagjes me hundët që i kullojnë, me fytyrën me njolla apo me atlete të grisura. Ajo do të jetë një nënë me disiplinë. Gratë e shenjës së Virgjëreshës rrallë do të kenë më shumë se dy fëmijë. Duket se ato nuk kanë nevojë të jenë nëna për të kënaqur feminitetin e tyre. Por sapo fëmija të vijë në jetë, ajo kurrë nuk do ta lërë atë pas dore, si për nevojat fizike, ashtu edhe për ato morale apo edukative. Fëmijët shpesh do t’i vlerësojnë nënat e shenjës së Virgjëreshës si gazmore dhe të buta. Ato do të jenë të vendosura dhe do të përpiqen për t’u mësuar zakonet e mira; kanë një prekje të butë që e bën fëmijën e saj të ndihet i sigurt për dashurinë e saj.

Shpesh mund ta gjeni shtëpinë e saj të mbushur me një aromë qiellore - një përzierje e aromës së luleve të freskëta dhe bukës së sapopjekur në furrë. Është një kënaqësi e vërtetë të vish pas një dite të lodhshme në një shtëpi si kjo. Ajo do të shkundë pluhurin e të gjitha ëndrrave tuaja të vjetra dhe do t’i bëjë ato të shkëlqejnë përsëri. Gjithashtu do të keni një grua që kurrë nuk do të marrë hua pastën tuaj të rrojes ose të përdorë furçën e dhëmbëve tuaja për vetullat e saj. Ajo do të kujdeset për ju si një engjëll kur të jeni sëmurë dhe nuk do t’ju vendosë në siklet duke flirtuar me mikun tuaj më të mirë.

Ajo do të vishet me kujdes dhe do të jetë në gjendje për të folur në lidhje me çdo gjë, përveç pelenave dhe thashethemeve të sallonit të bukurisë. Do të merrni prej saj gjithë besnikërinë dhe devotshmërinë që meritoni. Ajo nuk do të bëjë skena emocionale xhelozie ose të harxhojë paratë tuaja vend e pavend. Ajo do t’i ruajë sekretet tuaja në zemrën e saj, do t’ju ndihmojë të organizoni punën dhe ndoshta nuk do t’ju krijohen rrudha në moshën e mesme.

Tani, seriozisht, nuk mendon se ja vlen të rregulloni sjelljen tuaj dhe të mbani thonjtë pastër për këtë njeri? Sytë e saj janë si liqen i mbushur me dashuri të pastër dhe buzëqeshja e saj mund të ndezë një dhomë të tërë me rrezatimin që lëshon. Më e mira është që ta mbani fort. Nuk do të jeni me kaq fat herën tjetër.

- Publikuar për herë të parë në korrik të vitit 2014/ ndalohet kategorikisht ribotimi.