SPOILER Alert: Mos lexoni në vijim nëse nuk e keni e keni parë "Barbie", pasi zbulohen detaje nga filmi.
Shikuesit e “Barbie” me siguri janë habitur jo pak me fundin e filmit.
Në film, personazhi Ruth Handler (e cila në jetën reale shpiku kukullën) shpjegon se "Barbie" nuk ka një fund. Në vend të kësaj, filmi mbyllet me Barbie-n që fillon përvojën e plotë njerëzore – një takim me gjinekologun.
Ajo duket sikur shkon në një intervistë pune, por zbulohet se në të vërtetë është në zyrën e një mjeku. “Jam këtu për të takuar gjinekologun tim,” thotë Barbie e buzëqeshur, pavarësisht se nuk ka asnjë organ gjenital (për të cilën bëhet shaka më herët në film).
Pse diçka kaq e zakonshme sa takimi me gjinekologun është kaq e rëndësishme?
“Kujdesi për shëndetin riprodhues ende nuk konsiderohet si pjesë e shëndetit dhe mirëqenies totale. Kjo vlen jo vetëm për njerëzit në vitet e tyre riprodhuese, por edhe për ato që janë në menopauzë dhe kanë nevojë për kujdes gjatë dhe pas menopauzë,” tha për CNN Dr. Leana Wen.
“Kur të gjithë njerëzit shohin Barbie-n që shkon te gjinekologu, normalizohet përvoja. Kjo gjë forcon të kuptuarit se shëndeti riprodhues është një pjesë integrale e shëndetit të përgjithshëm,” shtoi ajo.
“Shpresoj që ky të jetë një nga mesazhet e kësaj skene, që është se çdo vajzë, çdo grua, çdo person që ka organe riprodhuese femërore duhet të ketë kujdes të rregullt parandalues për të trajtuar shëndetin e tyre riprodhues.”
Regjisorja Greta Gerwig e ka shpjeguar kështu fundin e filmit:
“Kur isha adoleshente, mbaj mend që po rritesha dhe isha në siklet për trupin tim dhe thjesht ndihesha e turpëruar në një mënyrë që as që mund ta përshkruaj. Më dukej sikur gjithçka duhej të fshihej," tha ajo për USA Today.
“E pastaj të shihja Margot [si Barbie], me atë buzëqeshje të madhe në fytyrë, duke thënë atë frazë me një lumturi dhe gëzim të madhe, doja që t’u përcillja vajzave idenë që ‘edhe Barbie e bën këtë gjë’ [pra, shkon te gjinekologu]."