Pas lajmit të bujshëm se Fero dhunoi Arbenitën dhe u arrestua, kjo e fundit ka reaguar përmes një postimi në Instagram ku njoftoi se ajo dhe vajza, Nina, janë mirë dhe se beson në drejtësi. Reperi i ka kthyer përgjigje, duke thënë ndër të tjera se nëna e tij është kujdesur për vajzën, në vend të Arbenitës.
Fero postoi deklaratën e tij në Instagram dhe u shpreh:
“Drejtësia është thikë me dy tehe, varet prej cilit kënd e drejton. E sa i përket Ninës, mos u viktimizo përmes saj, se e gjithë bota e di se për të mami im është kujdesur. Unë jam munduar të jem i kulturuar dhe të kam lejuar të merresh me karrierë, por ti lirinë dhe durimin tim i ke keqpërdorur në maksimum”.
Më tej, shtoi:
“E tani, pasi e ke çuar punën në nivel gjyqësor, presim si po vendos drejtësia. Unë para Zotit dhe vetes jam i drejtë”, duke shtuar se e vërteta zhytet, por nuk mbytet.
“Për mua, kjo është një sprovë jetësore dhe do të më kalisë përjetë. Shihemi në gjyq”, përfundoi reperi.
Më pas, ai postoi edhe një foto të së ëmës dhe Ninës, duke shkruar: “Faleminderit mam që je përkujdesur për Ninën që nga lindja e saj e deri më tani. Faleminderit mam, për gjithçka!”.
Sa i përket Feros, ai u arrestua për dhunë në familje. Sipas raportit të policisë, ai dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj partneres së tij, Arbenitës.
Kjo e fundit, e shqetësuar dhe në gjendje të rëndë, u largua nga banesa ku bashkëjetonte me Feron dhe vajzën e tyre, Ninën, dhe kërkoi ndihmën e policisë.