
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi i kanë dhënë fund zyrtarisht martesës së tyre disavjeçare. Gjykata civile e Tiranës vendosi gjatë ditës së sotme, 11 prill 2025, shkurorëzimin e tyre.
Ilir Meta ishte prezent në seancë, i shoqëruar nga forcat e policisë, pasi kujtojmë se që prej tetorit të vitit të kaluar, ish-presidenti është në burg. Nga ana tjetër, Monika nuk është paraqitur fizikisht, por është përfaqësuar nga avokati i saj, Redi Llanaj.
Ilir Meta, kryetari i Partisë së Lirisë dhe ish-presidenti i Shqipërisë, konfirmoi më 20 qershor se ai dhe Monika Kryemadhi kanë nisur procedurat e divorcit. Ilir Meta, në një deklaratë publike, e cilësoi Monikën si “ish-bashkëshorten” e tij dhe shtoi se çështja po ndiqet në rrugë juridike.
“Znj. Monika Kryemadhi është tashmë ish-bashkëshortja ime dhe sot kam ndjekur edhe rrugën juridike për këtë çështje. Kam njoftuar edhe djalin tim, Besar Ilir Meta”, u shpreh ish-presidenti.
Në prill të këtij viti, në një intervistë për “Opinon”, Monika pranoi se ajo dhe Iliri kishin një raport të ngrirë.
“Raporti im bashkëshortor me Metën është një raport për momentin i ngrirë për shkak të konfliktit në parti, se sigurisht që brenda familjes sonë. Mendoj që nuk është hera e parë që unë dhe Ilir Meta kemi këto konflikte. Ne nuk kemi këto konflikte parimore, morale midis njëri-tjetrit. Konfliktet tona janë vetëm konflikte politike”, u shpreh ajo, duke shtuar: “Mendjelehtësia më e madhe si te burrat, edhe te gratë qëndron kur mendojnë që lumturinë e tyre dhe pushtetin e tyre mund ta ndërtojnë duke rrënuar lumturinë dhe familjen e dikujt tjetër, por kjo nuk ndodh. Pse nuk ndodh? Nuk ndodh sepse marrëdhënia morale është shumë më e rëndësishme se marrëdhënia financiare”.
Më tej, vetë Monika ka bërë një reagim, duke u shprehur:
“Komunikimi im me Ilir Metën është prej 7 muajsh është zero, me përjashtim të ditës kur erdhi çështja e divorcit në shtëpi. Nuk kam komunikim me të. Sigurisht, në këtë çështje do të punojmë të ndarë. Unë di të them se masa e arrestit për Ilir Metën është një masë arresti që tenton për të zhvilluar edhe më tej konfliktin tonë familjar”.
Ajo shtoi:
“Gjërat që ata dyshojnë tek unë duan t’ia vendosën Ilir Metës. Unë nuk do e takoj në burg. Po edhe sikur të dua unë, nuk pranon ai. Arrestim më të madh se arrestimi shpirtëror nuk ka. Nuk ia uroj askujt konfliktin tim familjar. Nuk është konflikt i dy njerëzve që janë njohur me shkuesi, apo për interes. Kanë qenë dy njerëz të cilët janë dashur shumë me njëri-tjetrin. Kemi ecur për dore për 33 vjet dhe dëshira ime për të luftuar inceneratorin e Tiranës, çoi në pagimin e një fature shumë të madhe: në prishjen e familjes sime”.
Artikuj të sugjeruar: