Të pasurit një prind narcist është vërtet një sfidë e madhe për fëmijët. Më parë, të kemi treguar se si mund të identifikosh një nënë narciste, ndërsa sot, po flasim edhe për një baba narcist.
Së pari, duhet të të themi se tiparet e zakonshme të një babai narcist përfshijnë një ego të madhe, nevojën për të pasur gjithnjë të drejtë, madje edhe nëse shtrembërojnë realitetin, si dhe kontrollimin e vazhdueshëm mbi sjelljet, vendimet dhe jetën e fëmijëve.
Cilat janë tiparet e një babai narcist?
Kërkon komplimente dhe vëmendje
Një baba narcist gjithë kohës kujdeset për veten dhe për mënyrën se si e shohin të tjerët. Kërkon komplimente të vazhdueshme dhe vëmendjen e të gjithëve.
I fiksuar pas suksesit
Babai narcist do ta shohë veten si njeriu më i suksesshëm dhe më i arrirë, sidomos në grupin e njerëzve që janë më së shumti prezentë në jetën e tij.
Nuk të mbështet emocionalisht
Shkurt e troç, narcistët nuk e kuptojnë kur fëmijët kanë nevojë për mbështetjen e tyre emocionale. Edhe nëse e kuptojnë, sërish nuk e japin e të.
Bullizon fëmijët
Mungesa e “empatisë” dhe e dëshirës për të qenë gjithnjë i pari, e shtyn babain narcist që të tallë/bullizojë fëmijën, që ta bëjë të ndihet më inferior.
Të komplimenton vetëm në publik
Siç e thamë edhe më sipër, një baba narcist është i fiksuar me imazhin, ndaj për t’u dukur si një “baba perfekt”, të komplimenton në publik.
Të nënçmon para familjarëve
Një baba narcist rreket të dëmtojë egon e fëmijës dhe të dëmtojë të vetën, ndaj përpiqet që të krijojë një tjetër imazh te familjarët e tjerë.
Bën komente të vrazhda për pamjen tënde
Duke diskutuar peshën, gjatësinë, apo tipare të ndryshme të pamjes tënde, babai narcist përpiqet që të të ulë vetëbesimin.
Nuk gëzohet për sukseset e të tjerëve
Një baba narcist e gjen gjithnjë mënyrën për të shmangur festimin apo urimin e suksesit të dikujt tjetër, sepse krejt papritur, vëmendja nuk është tek ai.
Të manipulon që ti të bësh atë që ai do
Babai narcist përdor fajin apo shantazhe të ndryshme emocionale që të të detyrojë të bësh atë që ai do.
Injoron kufijtë që ti ke vendosur
Edhe nëse ti vendos kufij, sërish babai narcist nuk i respekton ato, duke synuar gjithnjë ndërhyrjen në jetën tënde.
Nuk ndihesh sikur të do pa kushte
Duke u rritur, ti kupton se ndoshta babai nuk të ka dashur pa kushte, por gjithnjë është përpjekur të të brumosë sipas idesë së tij.
Si të përballesh me ndikimin dhe traumën që lë një baba narcist?
Kur rritesh e kupton se ndoshta disa gjëra nuk kanë qenë siç i ke imagjinuar. Ti krijon distancë nga situata të ndryshme familjare dhe kupton që babai nuk ishte perfekt, por me/pa qëllim kishte sjellje narcisti. Sigurisht, ndikimi është prezent, ndaj po të tregojmë disa mënyra se si t’i përballosh traumat:
Konsultimi me një terapist
Mos u shtir sikur nuk je lënduar nga neglizhenca, refuzimi, braktisja, apo shtrembërimi i realitetit. Nëse e sheh që traumat dhe mendimet negative rikthehen herë pas here, konsultohu me një terapist.
Praktiko kujdesin për veten
Të rritesh nga një baba narcist, shpesh sjell disa sfida me vetëbesimin dhe imazhin që tik e për veten. Puno me anën tënde të errët, me mendimet që të trishtojnë dhe kupto se çfarë nuk shkon, në mënyrë që ta rregullosh.
Këmbëngul në kufijtë që ke vendosur
Sa herë që babai narcist mundohet t’i shkelë apo të mos i respektojë kufijtë e tua, këmbëngul dhe rikujtoji ato, qoftë qetësisht, apo me një sjellje pasiv-agresive.
Merr përgjegjësi mbi jetën dhe zgjedhjet e tua
Ki parasysh se jeta është e jotja, zgjedhjet po ashtu. Nuk ka rëndësi se cilën teknikë manipulimi përdor babai, ti vijo dhe ki parasysh se nëse ndërhyn njëherë në jetën tënde prej të rrituri, nuk do të ndalet më.
Krijo marrëdhënie të shëndetshme me familjarët e tjerë
Një baba narcist mund të ndikojë edhe te familjarët e tjerë mbi mendimin që ka për ty, por sërish, ti mund të ndërtosh marrëdhënie të shëndetshme dhe të bazuara në dashuri dhe respekt me familjarët e tjerë.
Mos krijo shpresa të rreme
Shërimi i traumave të tua nuk varet nga babai, por nga ti. Sjelljet narciste janë të rrënjosura dhe ndoshta babai mund të mos i pranojë dhe as ndryshojë kurrë ato.
Mos merr përsipër përgjegjësi që s’të takojnë
Ti nuk je përgjegjës për sasinë e dashurisë, apo të suksesit që yt atë ka dashur në jetë!
Nëse lind nevoja, mos mbaj kontakte me të
Nëse babai thjesht s’e kupton që ke jetën tënde dhe vendimet e tua, apo sjellja e tij është e padurueshme dhe të sjell shumë dëme dhe ndjesi negative, ndoshta është më mirë të mos mbash kontakte me të.
Artikuj të sugjeruar: