Kiara, ndonëse ka dalë nga shtëpia e “BBVA”, vijon të jetë në vëmendjen e opinionistëve të formatit. Jo më larg se mbrëmë, ajo ka pasur disa përplasje me Zhaklinë Lekatarin dhe u përball (sërish) me ironinë e Arbër Hajdardit.
Gjithashtu, edhe Arbana bëri një koment që ngjalli kritika në rrjet: "Kujdes, se mund të ketë edhe nga ato që thonë se motrën time nuk e dua si Kiara, që shkon në "Big Brother", lidhet me dikë, puthet dhe bën dashuri poshtë jorganit", referuar komentit që Luizi i bëri Efit për pjesëmarrjen e saj në programin “Për’Puthen”. Luizi u shpreh që “Efi vjen nga një emision gënjeshtrash” dhe tha se është turp që ajo ka marrë pjesë në këtë emision.
Ndaj, kur pamë këtë postimin në Instastory, menduam se ndoshta ka ironizuar opinionistët. Me një shprehje të Zafón, Kiara shkroi: “Është e çuditshme si i gjykojmë të tjerët dhe nuk e vërejmë sa i mjerë është përçmimi ynë”.
Postimi është publikuar para rreth 10 orëve, kur Kiara ishte në zonën e ish-banorëve dhe zhvilloi një debat me Zhaklinën dhe me ish-konkurrenten, Tean, sërish për komentin e Luizit.
Zhaklina e quajti “gënjeshtare” disa herë dhe Kiara tha se opinionistja s’ka thënë kurrë një fjalë të mirë për të, pavarësisht edukatës dhe mirësisë që Kiara ka treguar brenda në shtëpi. Situata u nxeh pak dhe ndërhyri Arbril, i cili tha se Kiara po pret që t’i vijnë mesazhet në telefon që të kthejë përgjigje.
Kjo s’është hera e parë që Kiara përballet me opinionistët. Më parë, Arbri ka publikuar një postim në Instastory, i cili u konsiderua si ironi për Efin dhe Kiarën. Shkodranët e kanë një shprehje të bukur: “Të hift vedja në qejf”, shkroi ai.
Më pas, Arbri u "akuzua" se po nxiste gjuhën e urrejtjes ndaj Kiarës dhe ai bëri një tjetër reagim, ku u shpreh:
"Miq të dashur!
Ky “Big Brother” ka qenë dhe është shumë i vështirë për t’u analizuar, për t’u komentuar e për të dhënë një opinion personal, pikërisht për përmasat gjigante që ka marrë dhe ndjeshmërisë së madhe që secili nga personazhet ka në publik. “Gjatë gjithë jetës dhe punës sime, kam si parim të mos cenoj askënd dhe të vlerësoj çdokënd, duke u përpjekur të jem sa më i drejtë dhe racional”
Më tej, vijoi:
“Ky është një spektakël, një show televiziv dhe jo një arenë gladiatorësh. Ata, aty brenda, por edhe ne këtu jashtë që jemi të përfshirë, jemi njerëz normalë, me të mirat dhe të këqijat tona, por ndryshimi është që ata aty brenda po ju argëtojnë prej 103 ditësh dhe nuk meritojnë asnjë lloj linçimi publik. Shprehja e një opinion personal për lojën e tyre, nuk do të doja kurrsesi të përkthehej në sulm karshi asnjërit prej konkurrentëve”.
Arbri shtoi:
“Nëse unë kam bërë dy batuta me konkurrentët, ka ndodhur sepse ky është një show dhe si i tillë, duhet ta marrim pak me më lehtësi e sportivitet. Boll drama ka ky vend! “Big Brother” është për argëtim, jo për të shfryrë, sharë dhe ofenduar askënd”, përmbylli ai deklaratën.
Edhe i ati i Kiarës e ka cekur sjelljen e opinionistëve ndaj Kiarës dhe është shprehur: "Unë e kam me opinionistët, ta them me të drejtë. Kiara përmendet pse mban kryqin, pse s’mban kryqin, pse vishet me të zeza, pse vishet me të bardha. Kur vishet me të zeza, i thonë: ‘Pse s’u veshe me të bardha’, kur vishet me të bardha, i thonë: ‘Pse s’u veshe me të zeza’. Nuk ka një argument bindës që të thuash çfarë ka bërë Kiara”.
Më pas, ai u shpreh:
"Unë do të doja që Kiarës t’i dilte diçka pozitive nga ana e opinionistëve, sepse nuk dalin këto. Për shembull, nuk doli kur i tha Luizi – Kiarës: “O Kiara, unë nuk kam shtëpi dhe Kiara i tha, që do të punojmë të dy dhe do të blejmë shtëpi. Nuk u tha ndonjëherë kjo pjesë. Nuk u tha pjesa kur Luizi i tha që s’kam lekë të bëjë një këngë dhe që i tha Kiara “kam unë lekë”. Nuk dalin kurrë këto. Gjërat pozitive, nuk duhet të dalin! Ndaj kam mllef me gazetat, me ca gazetarë, por me ata do të merrem sa të dalë Kiara. Me avokatë nga Italia kam për të ardhur dhe ta shohin se ku do të përfundojnë”, tha ai, referuar edhe dikujt që kishte thënë se do të ofendonte Kiarën dhe familjen e saj" (Artikullin e plotë e gjeni këtu).