Dikur, Labinot Gashi, i njohur si Labi, dhe Dafina Zeqiri dukeshin se kishin një raport të mirë, të cilin tashmë nuk e kanë më. Në një intervistë për “Prive”, Labi tregoi se nuk e ka idenë pse është prishur ky raport dhe shpjegoi pse e quajti Dafinën “mosmirënjohëse”.
Teksa Dafina festonte ditëlindjen në një event ku të pranishëm ishin emra të njohur të skenës dhe ekranit, miq e bashkëpunëtorë të saj, Labi, i paftuar në festë, shkroi në Instagram: “Mosmirënjohëse”.
I pyetur nga “Prive” nëse postimi ishte rastësi apo jo, ai tha:
“Nuk ishte rastësi, por nuk ishte vetëm për të [Dafinën], por për të gjithë njerëzit e tjerë. Në fakt, këtu po e them për herë të parë, [postimi] nuk ishte vetëm sepse në festë nuk ishte Labi, por nuk pashë shumë njerëz që ishin në fillimet e hershme të Dafinës."
Në vijim të shpjegimit të tij, Labi la të nënkuptuar se i referohet epokës kur rrjetet sociale dhe YouTube nuk kishin fuqinë që kanë sot dhe artistët promovoheshin kryesisht nga figurat televizive.
“Po e flas haptazi për shkak se as unë nuk i harroj njerëzit që në fillimet e mia të karrierës më kanë përkrahur,” shtoi ai më tej.
Nga ana tjetër, Dafina nuk ka reaguar për deklaratën e tij.