Elvis Pupa, i ftuar në “Ftesë në 5” foli për përvojën e tij brenda “BBVA” dhe tregoi se u bë pjesë e një formati të tillë me një qëllim të caktuar: Të rikthehej në vëmendjen e publikut pas 6 vitesh mungesë.
“Unë u futa aty për një qëllim të caktuar: T’i rikthehesha publikut pas një periudhe 6-vjeçare dhe për më tepër, të kthehem aty ku unë e kam nisur rrugëtimin, në Top Channel. E kam nisur që në vitin 2004 dhe ka qenë edhe një pakt që e kam pasur gjithnjë me të ndjerin Tanin (referuar Dritan Hoxhës) dhe i kam thënë që atëherë: “Unë kurdo që të kthehem, do vij në Top dhe nëse s’e gjejmë gjuhën, do shkoj në vend tjetër”, tha Visi dhe shtoi se donte që përpos personazheve që ai ka luajtur në skenë, publiku të njihte dhe personalitetin e tij të vërtetë.
Visi rrëfeu se ka në plan të bëjë një film:
“Kam qejf të bëj një film dhe mund të ketë edhe disa pjesë të shkurtra humoristike. Dua shumë të rikthej “Legjenda e Fundit” që e kam xhiruar në Amerikë në 2011-ën, kam qejf të bëj pjesën e dytë. Dua që të bëhet këtu dhe që të jetë i përfshirë një produksion i madh. Shumë persona aty brenda në “BBVA” kanë shprehur dëshirën që të jenë pjesë e këtij produksioni”, u shpreh ai.
Gjithashtu, aktori i humorit tregoi se do të vijë me një projekt të ri që përkon me një këngë dhe se shkoi në studio së bashku me Lorenc Hasramën. Visi nuk dha më shumë detaje mbi këngën, por tha se do të rrijë te rryma popullore.
“Mund të jetë ndonjë bashkëpunim me ndonjë këngëtar të muzikës moderne, por unë do rri te pjesa e muzikës popullore” dhe nuk përjashtoi edhe mundësinë që bashkëpunimi të përfshijë edhe Luizin.