Celebrity

Për herë të parë, Gisele Bündchen flet për divorcin e shumëpërfolur me Tom Brady

Shkruar nga Anabel

22 Mars 2023

Për herë të parë, Gisele Bündchen flet për
Lachlan Bailey/Vanity Fair

Gisele Bündchen ka folur për herë të parë për divorcin e famshëm nga Tom Brady, në një intervistë ekskluzive për “Vanity Fair”. Modelja 42-vjeçare tregoi nëse i ka dhënë ultimatumin ish-bashkëshortit të saj që të zgjidhte mes Gisele dhe karrierës së tij, si dhe arsyet që e çuan çiftin në divorc.
 
Modelja e quajti ndarjen “vdekjen e ëndrrës së saj” dhe hodhi poshtë zërat se i dha një ultimatum Tom, që të zgjidhte mes saj dhe karrierës së tij si futbollist.

“Uau, njerëzit vërtet e kanë shpikur këtë. Çfarë është thënë, është thjesht një copëz e pazëllit. Nuk është kaq bardhë e zi”, saktësoi Gisele, duke shtuar se këto komente ishin “gjëja më lënduese dhe më e çmendur që kishte dëgjuar”.

“Unë gjithmonë kam bërë tifo për të dhe do të vijoj ta bëj, përgjithmonë. Nëse ka një person që dua të jetë më i lumturi në botë, është ai, më beso. Dua që të gjitha ëndrrat e tij të realizohen. Kjo është ajo që vërtet dua, nga thellësia e zemrës”, tha Gisele.

Ndërsa për divorcin, u shpreh:

“Ndonjëherë ju rriteni bashkë dhe ndonjëherë ndaheni. Unë isha 26 vjeç dhe ai 29 vjeç kur u martuam, donim një familje dhe të ndërtonim gjërat së bashku. Koha kaloi dhe e kuptuam që donim gjëra të ndryshme dhe se tani, kishim për të bërë një zgjedhje. Kjo s’do të thotë që ti s’e do personin. Do të thotë që, në mënyrë që të jeshë vetvetja dhe të jetosh vërtet jetën tënde, duhet të kesh në krah një person me të cilin bën hapa të barabartë dhe takohesh në mes. Është një kërcim. Është ekuilibër”.

Për herë të parë, Gisele Bündchen flet për
Lachlan Bailey/Vanity Fair

Më pas, shtoi:

“Kur ti e do dikë, nuk e fut në burg dhe thua: ‘Duhet ta jetosh këtë jetë’. E lë të lirë që të jetë vetvetja dhe nëse ti fluturon në të njëjtin drejtim me të, është thjesht fantastike”, përfundoi ajo.

Bündchen dhe Brady u njohën në janar të 2007-ës dhe u martuan në 26 shkurt, 2009. Ata kanë edhe dy fëmijë së bashku: Benjamin (13 vjeç) dhe Vivian (10 vjeç), ndërkohë, Tom është edhe babai i John, (15 vjeç), për të cilin bashkëprindëron me aktoren Bridget Moynahan.

Ata u ndanë në tetor të vitit 2022 dhe njoftuan fansat përmes një postimi në rrjetet sociale, ku u shprehën:

“Gjatë ditëve të fundit, unë dhe gruaja ime finalizuam divorcin pas 13 vitesh bashkë. Arritëm në këtë përfundim në mënyrë shumë paqësore dhe me shumë mirënjohje për kohën që kemi kaluar bashkë. Ne jemi të bekuar me fëmijë të mrekullueshëm që do të vazhdojnë të jenë qendra e botës sonë në çdo lloj forme. Do të punojnë bashkë si prindër për t'u siguruar që ata do të marrin dashurinë dhe vëmendjen që meritojnë. Morëm vendimin për t'i dhënë fund martesës pas shumë gjërave që konsideruam...Ne urojmë vetëm të mira për njëri-tjetrin dhe për çfarë do të ndodhë në kapitujt në vijim...", shkroi Tom.
 
Gisele gjithashtu, shkroi: “Me shumë mirënjohje për kohën që kaluam bashkë, unë dhe Tom kemi vendosur të divorcohemi. Prioriteti im gjithmonë ka qenë dhe do të jenë fëmijët që kemi bashkë. Do të vazhdojmë të bashkëprindërojmë për t'i dhënë fëmijëve çfarë meritojnë. Vendimi për t'i dhënë fund martesës s'është kurrë i thjeshtë, por rrugët tona u ndanë dhe sigurisht është e vështirë të thuash diçka të tillë...Ndihem e bekuar për kohën me të dhe uroj për Tom gjithmonë më të mirat”.

Artikuj të sugjeruar: