TV Mania

Kejvina Kthjella flet për Luizin, Kiarën, ligjin dhe s’ia kursen 1 koment Robertit

Shkruar nga Anabel

19 Mars 2023

Kejvina Kthjella flet për Luizin, Kiarën, ligjin dhe s’ia kursen
YouTube

Kejvina Kthjella, në një intervistë për “Fan Club”, foli për shtëpinë e “BBVA”, Luizin, Kiarën, urrejtjen në rrjetet sociale, komentet e Robert Aliaj, madje dhe problemet me ligjin.
                                          
Ajo foli për mbështetjen publike që i dha Luizit kur në fakt, u përjashtua për dhunë fizike ndaj tij dhe se si e konsideron Luizin:

“Unë dhe Luizi nuk njihemi nga jashtë. Jemi njohur aty brenda. Kemi shkuar shumë mirë që natën e parë dhe unë gjithmonë e thoja që e kam si vëllë. Kuptoheshim në shumë gjëra dhe e shikoja që disi donte të më mbronte. Ai moment, nuk është se prishi marrëdhënien tonë. Jam e sigurt që kur të dalë, do të vazhdojë gjithçka si më parë. Normalisht, unë akoma jam e mërzitur për atë që ai ka thënë, ai edhe më ka kërkuar edhe falje brenda, por jam shumë e sigurt që kur të dalë jashtë, do të vazhdojmë ta kemi raportin po njësoj, sepse në fund të ditës, jemi zënë me shoqërinë dhe jemi puthur sërish. Marrëdhënia ime me Luizin aty ka qenë reale”.

Kejvina iu përgjigj edhe pyetjes se pse e dërgoi dronin brenda shtëpisë.

“Dronin e dërgova si një mënyrë për t’i thënë që “jam me ty, si kam qenë përpara” dhe për t’i kërkuar falje edhe për gjestin, sepse nuk ishte një gjest i hijshëm”, tha Kejvina dhe shtoi se e di që ai e ka xhan.

Sigurisht, saktësoi edhe nëse ka apo jo ndonjë problem me Kiarën:

“Unë nuk kam asnjë problem me Kiarën. Kiara, besoj se ka probleme pikë së pari me veten, pastaj me të tjerët. Unë aty brenda Kiarën e kam mbështetur dhe në momentin që ndodhi ajo puna e gjyqit, Kiara mund të ketë qenë i vetmi person aty brenda që mund të më kishte marrë më vete dhe të me fliste, sepse unë vërtet nuk isha mirë, kisha nevojë për ndihmë dhe ajo s’bëri gjë, përveçse shkoi nga dhoma tjetër dhe tha: ‘Nuk i rri dot afër Kejvinës se më prish imazhin’. Nuk e di çfarë imazhi mund t’i prish unë asaj goce. Nuk e ndiej energjinë pozitive të saj karshi meje dhe nuk më ka pëlqyer kjo gjë që ka bërë”.

Ama, tha edhe se Kiara është personi më i shtirur brenda shtëpisë, por që do ta prekë finalen, sepse s’e lë Luizi.
 
Moderatorja Megi Pojani e pyeti edhe nëse i duket Kiara e vërtetë në marrëdhënie me Luizin dhe Kejvina foli vetëm për periudhën që ka qenë ajo brenda shtëpisë:

“Të them të drejtën, jo dhe e kam thënë edhe brenda këtë. Mbase tani mund të ketë ndryshuar gjithçka se normalisht, me gjithë ato gjëra që ka bërë ai, janë dashuruar të gjithë me Luizin, jo më Kiara. Mua më ka bërë përshtypje ndryshimi i saj, sepse në fillim, Kiara nuk e duronte fare, po fare Luizin dhe mbaj mend edhe kur bënim ndonjë shaka, e nënçmonte, nuk i bënte fare përshtypje. Pastaj, kur u kthye nga spitali, ku ishte pas episodit të sëmundjes, ndryshoi Kiara”.

“A e nxori Olta nga shtëpia Kejvinën”, pyeti Megi dhe Kejvina u përgjigj kështu:

“Më ka fyrë, goxha. Më frynte! Por, gjëja që s’më ka pëlqyer është se natën kur kam dalë, kur ka mbyllur derën, ka buzëqeshur. Më ka bërë shumë përshtypje. Ka thënë: ‘Sot jemi, nesër s’jemi’, sikur vdiqa unë. Unë ika në shtëpinë time. Nuk është se kam një mendim negativ për Oltën të them të drejtën, por bashkëpunuese në krim”.

Kejvina pendohet që nuk ka luajtur fare brenda shtëpisë dhe ka qenë totalisht e vërtetë. Sigurisht, nuk ndenji pa hedhur një kunjë për komentet e Robert Aliajt, për ngacmimet e saj ndaj Kristit.

“S’i kam kuptuar fare ato komentet e Bertit. Djali i Bertit është 32 vjeç dhe ai ka thënë disa komente vërtet shumë të ulëta për një gocë. S’jam e mërzitur, sepse s’e njoh Bertin, por është një person në moshë, një baba dhe të flasë në atë mënyrë për një gocë, nuk më duket fare e hijshme. Sa për Kristin, është një djalë me shumë edukatë. Unë luaja sepse doja që ta nxirrja pak Kristin nga vetja dhe e dija që ai s’do të bënte ndonjë koment të pahijshëm dhe do të mbante distancë”.

Ndërsa për komentet e pafundme në rrjetet sociale, u shpreh:

“Kur kam dalë nga aty (shtëpia e “BBVA”), kam pasur shumë presion, shumë urrejtje, mallkime nga më të ndryshmet dhe nuk ndihesha mirë në ambiente të hapura. Kanë qenë shumë agresivë dhe s’e kuptoj pse gjithë kjo urrejtje. Në fund të ditës ajo është një lojë. Askush s’e kuptoi si u ndjeva unë dhe ndodhi ajo që ndodhi. Kam kërkuar falje publikisht për atë gjest, sepse patjetër, nuk është diçka e mirë”, tha Kejvina.

Më tej, ajo foli edhe për përjetimin e familjes pas situatës që solli edhe përjashtimin e Kejvinës nga “BBVA”:
 
“Familjarët janë mërzitur shumë-shumë nga njerëzit dhe komentet që kanë marrë. Babi im vuan edhe nga diabeti dhe pas atij episodi, e ka përjetuar shumë keq dhe ka pasur edhe komplikacione me shëndetin”.
 
Ajo shtoi edhe se ndër lajmet më të çuditshme që ka dëgjuar për veten është se e kërkon SPAK-u dhe se nuk ka asnjë problem me ligjin.

MOS I HUMBISNI