Shendet i Pergjithshem

Keni dëgjuar për anoreksinë dhe buliminë, por i dini çrregullimet më pak të njohura të të ngrënit?

Shkruar nga Anabel

28 Shkurt 2023

Keni dëgjuar për anoreksinë dhe buliminë, por i dini
Foto: Nomad_Soul/Adobe Stock

Çrregullimet e të ngrënit prekin pothuajse 1 në 10 njerëz në mbarë botën, sipas organizatës jofitimprurëse ANAD, e megjithatë ka shumë keqkuptime për to.

Çfarë është një çrregullim i të ngrënit?

Çrregullimi i të ngrënit është një çrregullim psikiatrik, që shkakton dëmtim të konsiderueshëm në aftësinë e dikujt për të funksionuar normalisht. Më konkretisht, çrregullimet e të ngrënit janë sëmundje biopsikosociale. Tiparet e trashëguara si dhe faktorët psikologjikë si temperamenti dhe personaliteti dhe faktorët socialë si bullizimi dhe trauma ndkojnë që dikush të ketë një çrregullim të të ngrënit.

Cilat janë llojet?

Anoreksia: karakterizohet zakonisht nga humbja e peshës dhe përgjithësisht përfshin kufizime rreth kalorive të ngrëna dhe frikë të fortë për të fituar peshë. Shenjat paralajmëruese për këtë çrregullim përfshijnë një mbivlerësim të peshës, rregulla strikte rreth ushqimit, kontrollin e përbërësve, fshehtësinë dhe shmangien e situatave sociale të lidhura me ushqimin dhe trupin.

Bulimia: një gjendje ciklike në të cilën dikush konsumon shumë ushqim dhe më pas vjell ose pi laksativë. Personat me bulimi mund të shkojnë në tualet menjëherë pas një vakti ose të thonë se do të shkojnë më shumë në palestër nëse hanë një vakt të madh.

Çrregullimi i ngrënies së tepërt: dikush ha sasi të mëdha ushqimi shpejt dhe shpesh deri në pikën që situata është shqetësuese. Ky çrregullim karakterizohet nga një humbje e kontrollit kur bëhet fjalë për të ngrënë; shoqërohet me turp dhe ngrënie në fshehtësi.

Çrregullimi i shmangies së ushqimeve: ky çrregullim karakterizohet nga shmangia e ushqimeve. Njerëzit me këtë çrregullim mund të tregojnë mungesë interesi për të ngrënë ushqim ose të kenë shqetësime për pasojat e të ngrënit, të tilla si të vjella ose mbytje. Zakonisht, njerëzit me këtë çrregullim kanë një gamë të vogël ushqimesh me të cilat ndihen rehat nëse i konsumojnë. Çrregullimi mund të shkaktojë probleme me plotësimin e nevojave për energji dhe mund të çojë në humbje peshe, rritje të ngadaltë ose probleme me funksionimin psikologjik dhe social.

Ortoreksia: term që përdoret për të përshkruar një fiksim ndaj të ngrënit në një mënyrë që personi e përcakton si shumë të shëndetshëm, por mund të shkaktojë stres në situata kur e kanë të pamundur të hanë siç e kanë planifikuar.

Dismorfia muskulore: përshkruan një çrregullim në të cilin njerëzit kanë sjellje të ngjashme me anoreksinë ose buliminë, si kufizimi i kalorive, ndjekja e rregullave të strikta, kryerja e ushtrimeve të forta, si dhe monitorimi i marrjes së proteinave për të pasur një trup muskulor.

Nëse jeni të shqetësuar për sjelljen tuaj ose të dikujt ndaj ushqimit, është e rëndësishme të kërkoni ndihmë profesionale.

Burimet: National Eating Disorders Association, CNN