Kinema & TV

“The Banshees of Inisherin” është nominuar për 9 çmime Oscar dhe ti duhet ta shohësh patjetër!

Shkruar nga Anabel

20 Shkurt 2023

“The Banshees of Inisherin” është nominuar për 9
The Banshees of Inisherin (Searchlight Pictures)

“Thjesht nuk të kam më qejf!”. Përmes kësaj fjalie, do të tronditet e gjithë miqësia e dy burrave Pádraic Súilleabháin (Colin Farrell) dhe Colm Doherty (Brendan Gleeson), shokë prej një jete.

Subjekti zhvillohet në një ishull të izoluar të Irlandës dhe na njeh me historinë e dy miqve, të cilët përballen me një krizë në shoqërinë e tyre dhe me pasojat tragjike të saj.
 
Në vitin 1923, në luftën civile në Irlandë, Colm Doherty vendos të injorojë mikun e tij të ngushtë, Pádraic Súilleabháin, me arsyetimin se Pádraic është shumë “i mërzitshëm” për të.

Colm ka një dëshirë: T’i përkushtohet muzikës dhe si rrjedhojë, të mbahet mend gjatë. Nga ana tjetër, jeta e Pádraic tronditet pasi Colm është një ndër miqtë më të mirë që ka. Ai tenton të rregullojë marrëdhënien me të, por Colm i jep një ultimatum, duke i thënë se do të presë një gisht, sa herë që Pádraic tenton ta bezdisë apo t’i flasë.

Një film që sjell tragjedinë dhe komedinë në një variant magjepsës dhe unik, “The Banshees of Inisherin”, nuk duhet të të shpëtojë pa u parë. Historia, situatat dhe humori i rafinuar do t’ju bëjnë ta gjykoni ngjarjen nga një tjetër prizëm dhe të mendoni më shumë rreth miqësive, mendësinë që sjell lufta, edhe nëse nuk te prek drejtpërdrejt, si dhe demokracinë.

Kasti:

Colin Farrel; Brendan Gleeson; Kerry Condon; Barry Keoghan; Gary Lydon; Pat Shortt; Sheila Flitton; Bríd Ní Neachtain; Aaron Monaghan; David Pearse; Lasairfhíona Ní Chonaola; John Carty.

5 arsye pse duhet ta shohësh

Peizazhe fantastike

Filmi ofron peizazhe mahnitëse të natyrës irlandeze, të cilat të lënë pa frymë! Këto peizazhe ndërlidhen kaq bukur me situatat dhe momentet që ndryshojnë jetët e dy personazheve kryesore.
 
Një vorbull emocionesh

Trishtimi, vetësabotimi, kotësia e debateve, pamundësia për të ndërmarrë veprime, humori i zi dhe reflektimi mbi kuptimin e jetës; të gjitha, në një film.
 
Pak realizëm, pak imagjinatë

Në këtë film, realizmi bashkëvepron me artificialen dhe imagjinatën e regjisorit, duke na rrëfyer një botë zemërthyese, por jashtëzakonisht argëtuese.
 
Dialog brilant

Në një moment do të përballesh me shaka, në tjetrin me një seriozitet të skajshëm, me pasionin e të rrëfyerit, e në çastin që s’e pret, me veprime që do të të çudisin.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by The Banshees of Inisherin (@banshees_movie)


 
I nominuar për 9 çmime Oscar

Kur themi se “The Banshees of Inisherin” është fenomenal, e kemi seriozisht! Përpos triumfimit në çmimet BAFTA për: Aktori (Barry Keoghan) dhe aktorja (Kerry Condon) më e mirë në rol joprotagonist, filmi është nominuar në 9 kategori Oscar:

Filmi më i mirë

Aktori më i mirë

Regjisori më i mirë

Aktorja më e mirë në rol joprotagonist

Aktori më i mirë në rol joprotagonist për Barry Keoghan 

Aktori më i mirë në rol joprotagonist për Brendan Gleeson

Skenari origjinal më i mirë

Kompozimi më i mirë

Editimi më i mirë

Artikuj të sugjeruar: