Gjendja shëndetësore e Luiz Ejllit vazhdon të jetë historia më e komentuar brenda dhe jashtë shtëpisë së “Big Brother VIP Albania”. Pas diskutimit gjatë programit, pas deklaratës së mjekes që iu përgjigj me “jo” fjalisë së Arbanës “pra, nuk ka tumor”, pas bisedave kontradiktore të Luizit me banorët, nëpër portale ka vazhduar të diskutohet shëndeti i tij dhe fakti nëse gënjeu për sëmundjen apo ka diçka të vërtetë në mes të gjithë kësaj drame.
Nëpër portale dhe rrjete sociale, media të ndryshme kanë publikuar një foto që pretendohet se është e analizave të përgjithshme që Luizi kreu në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”. Fotoja tregon emrin e pacientit, llojin e analizës (gjaku komplet), përfshirë edhe emrat e mjekes dhe drejtueses teknike të laboratorit mjekësor.
Përpos kësaj, media të tjera pretendojnë se nga burime brenda spitalit, kanë zbuluar sëmundjen e Luiz Ejllit. Nëpër shumë portale, është raportuar emri i saktë i diagnozës, sipas tyre. Anabel zgjedh të mos ndaj detaje të tjera mbi rastin në fjalë, por për shkak të përmasave që kjo ngjarje ka marrë, mund të themi vetëm se pretendohet për një gjendje që nuk është tumor, por një sëmundje që nuk ka kurë, por është e menaxhueshme dhe mund të mbahet në kontroll; gjendja e pacientit varet nga ashpërsia e simptomave dhe çfarë i shkakton ato.
Çfarë parimesh janë shkelur?
Nëse fotoja e analizave dhe diagnoza është e vërtetë dhe informacioni ka dalë nga brenda spitalit, pra nga stafi mjekësor, është shkelur e drejta e pacientit për privatësi dhe konfidencialitet. Në “Të drejtat dhe detyrimet e pacientit”, përcaktohet qartë se “çdo informacion për gjendjen shëndetësore të pacientit, diagnozën, trajtimin apo çdo informacion tjetër i karakterit personal, duhet të mbahet i fshehtë edhe pas vdekjes" dhe "çdo e dhënë e pacientit duhet të mbrohet.”
Karta shqiptare e të drejtave të pacientëve thekson qartë se “çdo pacient ka të drejtën e konfidencialitetit të të dhënave personale, përfshirë informacionet lidhur me gjendjen e tij/e saj shëndetësore dhe potencialit të procedurave diagnostike ose terapeutike, si edhe mbrojtje e privatësisë së tij/saj gjatë kryerjes së analizave diagnostike, vizatave të specialistit dhe trajtimeve mjekësore/kirurgjikale në përgjithësi.”
“Jo [Nuk u lejohet mjekëve të flasin për gjendjen shëndetësore të dikujt nëse ai nuk do]. U lejohet [një pjesë]. Nëse është nga A-ja te Zh-ja, u lejohet të flasin deri te Ll-ja. Pjesën tjetër nuk munden,” u shpreh Luizi në një bisedë me Tean. “ Pjesën që kishte ajo [mjekja] të drejtë ta thoshte, e tha. E është fiks e saktë ajo që tha, fjalë për fjalë...aq sa tha.”
Nëse të dhënat (po e marrim si të mirëqenë që janë të vërteta), janë vendosur në duart e portaleve nga çdo burim tjetër që nuk përfshin stafin mjekësor dhe janë publikuar nga redaksitë e këtyre portaleve, kemi të bëjmë me shkelje të Kodit të Etikës së Gazetarit. “Gazetari duhet të respektojë të drejtën e individit për privatësi. Vetëm mbrojtja e interesit publik mund të justifikonte investigimet gazetareske që ndërhyjnë në aspektet private të jetës së individëve,” shkruhet në të.
Shëndeti i Luizit mbetet mister. Por çfarë është e qartë si drita e diellit, është fakti se kjo çështje i përket vetëm atij.
- “Ke për t’u penduar që ke shkelur në këtë shtëpi”: Luizi përfshihet në një tjetër debat me Oltën
- Instagrami i Luizit: Ja sa ndjekës iu shtuan në më pak se 48 orë
- Ish-banori i BBVA dhe shoku i Luizit flet për të: ‘Mbart diçka shumë të madhe brenda vetes’
- Prindërit e Kiarës flasin për situatën e Luizit
- Edhe personazhet e njohur përfshihen në debatin ‘A gënjeu Luizi’: Ja ç’mendojnë ata
- Vazhdon drama në BBVA! Luizi flet me banorët: ‘Mjekja foli aq sa i lejohet të flasë’
- 'Sëmundja e pashërueshme e Luizit': Historia pas rrëfimit të dyshimtë