Isli Islami flet rrallë për jetën private, por kujdeset që edhe kur ndan detaje personale, të përcjellë te publiku një mesazh, cilido qoftë ai.
Në çerekfinalen e “Dancing with the stars”, moderatori foli për fëmijërinë e tij të vështirë dhe divorcin e prindërve.
“Unë vij nga një familje me dy prindër të divorcuar dhe gjatë gjithë fëmijërisë sime kam qenë dëshmitar i një dhune që ka qenë e vazhdueshme, dhunë fizike, dhunë psikologjike, abuzim në të gjitha format. Divorci në familjen time ka qenë një nga gjërat më të mira që ka ndodhur.”
Më pas shtoi:
“Mamaja ime, me të cilën jam shumë i lidhur, ka arritur që të jetë heroinë e gjithë kësaj situate. E kam parë si ka shtrënguar dhëmbët përpara dhimbjes, poshtërimit, sikleteve, mërzitjes, zhgënjimit, lëndimit dhe e kam parë që për shkak të dashurisë që ka pasur për ne, e ka gjetur rrugën si të ngrejë kokë. “
“Shpresoj t’i kem edhe unë që kur të jem prind nesër-pasnesër, edhe fëmijët e mi të shohin këtë gjë tek unë: Që përpos vështirësive t’ia dalin mbanë dhe të themi që kemi kaluar gjëra të këqija, por ja ku jemi më të fortë,” theksoi ai.
E megjithatë, përpos vështirësive të së kaluarës, Isli vuri në dukje rëndësinë që ka falja, sidomos për personin që fal.
“Falini njerëzit që ju kanë bërë gjëra të këqija. Falini njerëzit që ju kanë shkaktuar dhimbje, sepse mendoj që nuk ka gjë më të bukur dhe nuk ka çlirim më të madh sesa të falësh dhe të bekosh personin që mund të të ketë shkaktuar dhimbje,” përfundoi ai.
Sipas psikologëve, falja është më e mirë për ju sesa për përsonin që falni. Të falësh nuk do të thotë të falësh gjërat e këqija që kanë bërë të tjerët. Nuk do të thotë të mohosh egoizmin, refuzimet, poshtërsinë, brutalitetin, dhunën e tyre, të metat e karakterit. Kur falni, ju çlironi veten nga pakënaqësia, dhimbja dhe ngecja me të kaluarën. Kur e falni dikë, ju bllokoni ndikimin negativ që ky individ ka në jetën tuaj. Duke falur, ju mund të jetoni plotësisht në të tashmen sepse shkëputeni nga e shkuara.
Artikull i rekomanduar: Rrëfime: ‘Nuk e fal dot mamin/babin’ – Si të gjesh paqen kur lëndohesh nga prindërit?