Sipas Putin, "lufta mund të mbarojë që nesër dhe kushtin e di Zelensky"
Kreu rus, Vladimir Putin përmendi një zgjidhje të mundshme për t’i dhënë fund luftës së tij në Ukrainë të premten, ndërsa ende pretendonte se “operacioni i tij special ushtarak” po ecte sipas panit.
Sipas Kremlinit lufta mund të “mbarojë edhe nesër” nëse presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky urdhëron një tërheqje të të gjithë ushtarëve ukrainas nga territoret brenda katër rajoneve të aneksuara së fundmi nga Putini në juglindje të vendit.
Vërejtjet e presidentit rus erdhën vetëm disa ditë pasi Putini dukej se po i shtrëngonte rusët për një luftë të zgjatur në Ukrainë, duke thënë se operacioni i tij ushtarak mund të ishte një “proces afatgjatë”.
Arrestohet nënkryetarja e Parlamentit Europian: Akuzohet për korrupsion
Nënkryetarja e Parlamentit Europian Eva Kaili u ndalua dje për t’u marrë në pyetje në kuadër të hetimeve për korrupsion në atë institucion, që lidhet me një vend të Gjirit Persik.
Kaili, një ish-prezantuese e televizionit grek dhe deputete e Parlamentit Evropian që nga viti 2014, është vënë në shënjestër të hetuesve dhe shtëpia e saj iu nënshtrua kontrollit pasditen e së premtes. Eva Kaili është një nga 14 nënkryetaret e Parlamentit Evropian. Informacioni u konfirmua nga prokuroria federale pa bërë të ditur emrat e personave të ndaluar.
Biden autorizon 275 milionë dollarë ndihmë të re ushtarake për Ukrainën
Presidenti amerikan Joe Biden autorizoi së fundmi një ndihmë të re ushtarake prej 275 milionë dollarësh për Ukrainën duke ofruar armë të reja kundër dronëve dhe ato të mbrojtjes ajrore.
Ndihma e re përfshin gjithashtu municion për armët e artilerisë së rëndë, “HIMARS”, të prodhuara nga kompania Lockheed Martin, automjete ushtarake “Humvee” dhe rreth 150 gjeneratorë.
Kjo është hera e 27-të që përdoret Autoriteti presidencial për Ukrainën, i cili lejon Shtetet e Bashkuara të transferojnë pajisje dhe armë nga rezervat e saj me shpejtësi dhe pa miratimin e Kongresit në përgjigje të një emergjence.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se pajisjet ishin “nisur” drejt Ukrainës.
Ndërrron jetë gazetari i famshëm amerikan teksa raportonte ndeshjen e "World Cup" në Katar
Gazetari i njohur i sportit amerikan Grant Wahl ka ndërruar jetë në Katar pasi u rrëzua gjatë mbulimit të ndeshjes në Kupën e Botës, duke shkaktuar kështu një tronditje të madhe në të gjithë botën e sportit. Ai "u rrëzua" pa ndjenja ndërsa raportonte ndeshjen Argjentinë-Holandë të premten.
Organizatorët e Kupës së Botës të Katarit thanë të shtunën se Wahl "u sëmur" në zonën e shtypit, ku mori "trajtim të menjëhershëm mjekësor në vend". Më pas ai u transferua, por rrethanat rreth vdekjes së tij janë ende të paqarta.
Burimi: BBC, CNN