Këngëtarja e famshme, Celine Dion njoftoi përmes një postimi në Instagram se vuan nga një sëmundje e rrallë që quhet "Stiff Person Syndrome"- "Sindroma e personit të ngurtë".
Dion, tha se kjo sëmundje prek "një në një milion njerëz" para se të tregonte sesi po e trajton gjendjen e saj.
Po çfarë është fiks "Sindroma e personit të ngurtë" (SPS)?
SPS është një çrregullim i rrallë neurologjik me tipare të një sëmundjeje autoimune. Kjo sindromë i kthen njerëzit në "statuja njerëzore" dhe ndodh 1 në 1 milion raste sepse bëhet fjalë për ngurtësim të muskujve. SPS karakterizohet nga ndjeshmëri e shktuar e muskujve dhe lëvizje e pakontrolluar e tyre pas çdo stimuli, qoftë kjo zhurmë, prekje, stres, etj. Sëmundja mund të shkojë deri aty sa që lëvizja apo e folura të bëhet e pamundur.
Për diagnozën e Celine Dion nuk ka një kurë specifike, por vetëm trajtime që mund të ngadalësojnë përparimin e sëmundjes. Jetëgjatësia e dikujt me SPS mund të shkojë nga 6 deri në 28 vite, varet nga gjendja shëndetësore e gjithsecilit.
Këngëtarja 54-vjeçare iu drejtua fansave të saj në një postim të përlotur në Instagram teksa zbuloi se kjo sëmundje e ka detyruar të anulojë turin e saj nëpër Europë.
"Siç e dini, unë kam qenë gjithmonë një libër i hapur dhe nuk kam qenë gati të them asgjë më parë, por jam gati tani. Kam një kohë të gjatë që po merrem me probleme me shëndetin tim dhe ka qenë vërtet e vështirë për mua të përballem me sfidat dhe të flas për gjithçka që kam kaluar. Kohët e fundit jam diagnostikuar me një çrregullim neurologjik shumë të rrallë të quajtur sindroma e personit të ngurtë, i cili prek 1 në një milion njerëz. Ndërsa ne jemi akoma duke mësuar për këtë gjendje të rrallë, tashmë e dimë se kjo është ajo që ka shkaktuar të gjitha spazmat që kam pasur. Për fat të keq, këto spazma prekin çdo aspekt të jetës sime të përditshme duke shkaktuar ndonjëherë vështirësi kur eci dhe duke mos më lejuar të përdor kordat e mia vokale për të kënduar ashtu siç jam mësuar. Më dhemb t'ju them sot se kjo do të thotë se nuk do të jem gati të rifilloj turneun tim në Europë në shkurt." - shkruan ylli i muzikës.