
Dita e djeshme (28 mars) shënoi fillimin e vaksinimit masiv në vend. Sipas Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu jo vetëm që u arrit targeti i dëshiruar (10,000 të vaksinuar), por u kaluan pritshmëritë duke u vaksinuar rreth 11,487 njerëz.
Ndër të tjera ajo tha se procesi i vaksinimit do të intensifikohet në të gjithë vendin për të vaksinuar sa më parë grupet e përcaktuar sipas planit.
“Ne do të vijojmë përgjatë gjithë kësaj periudhe me intensifikimin e procesit të vaksinimit, duke vijuar vaksinimin e mësuesve, pedagogëve, edukatorëve të kopshteve dhe çerdheve. Gjithashtu do të vijojmë me vaksinimin masiv të grupmoshës +70 vjeç, qoftë në qendra shëndetësore, qoftë në këto pika të vaksinimit të përqendruara”.- u shpreh ajo.
Manastirliu u bëri gjithashtu thirrje të moshuarëve që të kontaktojnë me mjekun e familjes dhe më tej, ky i fundit do t'i orientojë për datën, orën dhe vendin e vaksinimit.
“Mjeku i familjes do t’ju njoftojë për datën, vendin dhe orën e vaksinimit. Është vetëm mjeku i familjes ai që ka regjistrin elektronik dhe nëpërmjet regjistrin elektronik nxjerr dhe të gjithë listën e personave që i përkasin fashave të përcaktuara, sipas grupmoshës për vaksinim."
