Vetebesimi

Pse disa njerëz flasin për veten në vetën e tretë? Ka shumë arsye

Shkruar nga Anabel

30 Nëntor 2022

Pse disa njerëz flasin për veten në vetën e tretë? Ka

A keni dëgjuar ndonjëherë dikë të flasë për veten në vetën e tretë? Mund të duket e çuditshme, por ndodh shpesh për shumë njerëz.

Ja një shembull – Fifi, e ftuar në “Zemër Luana”, kur u pyet në lidhje me disa komente të njerëzve, iu referua shpeshherë vetes në vetën e tretë.

“Ata që e njohin Fifin”; “Fifi nuk bën gjëra për vëmendje. Fifit nuk i pëlqen vëmendja. Fifit i dalin gjërat ashtu siç i dalin edhe merr vëmendje"; “Le të vazhdojnë tutje, Fifi është në rregull.” – u shpreh ajo.

Nëse ju kujtohen diskutimet në “Big Brother VIP”, Ilir Shaqiri për shembull përdorte vetën e tretë për të folur për veten. “Gjithë kjo gjë që është keqkuptuar nga ana e Onit; mua më ka ardhur keq, por janë mendimet e tij për të sulmuar një Ilir Shaqiri që në këto momente po bën ‘Big Brother Albania’,” u shpreh ai në “Ftesë në pesë” në lidhje me konfliktin me Oni Pustinën.

Në “Për’Puthen”, gjithashtu, pjesëmarrësit i janë referuar vetes jo me “unë”, por me emrin.

Njihet si illeism dhe është akti i referimit të vetes në vetën e tretë në vend të vetës së parë. Ndonjëherë përdoret në letërsi si një mjet stilistik. Në jetën e përditshme mund të jetë thjesht ligjërim i shkujdesur, i paarsyeshëm, krejtësisht naiv. Në raste të tjera, mund të bëhet fjalë për arsye psikologjjike; nuk përjashtohen as tendencat manipuluese.

Ne kemi bërë kërkimin tonë dhe po rendisim në vijim disa nga arsyet pse ndodh ky lloj ligjërimi. Theksojmë se arsyet i referohen studimeve dhe qasjeve të ndryshme dhe nuk i atribuohen në asnjë mënyrë emrave të lartpërmendur!

Efekti pozitiv: Studimet psikologjike tregojnë se të menduarit dhe të folurit për veten në vetën e tretë ka një efekt pozitiv në gjendjen mendore të dikujt sepse një individ që e bën këtë mund të ndihet më i përulur, më i aftë për të qenë empatik dhe për të kuptuar perspektivat e të tjerëve dhe është në gjendje të distancohet emocionalisht nga problemet e veta.

Ankthi, stresi: Disa njerëz kuptojnë se të folurit në vetën e tretë përmirëson vetëvlerësimin e tyre, aftësinë për të performuar mirë nën stres, për të menaxhuar emocionet në mënyrë më të favorshme dhe për të menduar gjatë situatave komplekse në një mënyrë më racionale dhe më të qetë.

Disa njerëz reduktojnë ankthin duke iu referuar vetes në vetën e tretë. Kjo i lejon ata të distancohen psikologjikisht nga frika dhe shqetësimet dhe të marrin një qëndrim më objektiv.

Për t’u distancuar nga “personazhi”: Një numër njerëzish të famshëm, duke përfshirë Marilyn Monroe, Alice Cooper dhe Deanna Durbin, iu referuan vetes në vetën e tretë për t'u distancuar nga personaliteti publik.

Në “Zemër Luana”, edhe Fifi e bëri të qartë dallimin mes “Fifi” dhe “Filloreta”. “Sa herë Filloreta ka nevojë, Filloreta, jo Fifi, ata [prindërit] janë aty,” tha ajo.

“Filloreta, dua ta them emrin tim, sepse unë jam Fifi për muzikë, ndërkohë Filloreta është njeri dhe është ajo që po flet momentalisht. Filloreta është njeri shumë i drejtë dhe padrejtësinë nuk e duron dot,” tha Fifi në një tjetër moment.

Gaslighting/narcizëm: (Gaslighting – manipulimi psikologjik që e bën viktimën të vërë në dyshim realitetin). Disa njerëz gaslighter/narcistë mund të përdorin vetën e tretë për të manipuluar situatën. Në politikë, mund të jetë një formë e përhapjes së propagandës. Nëse mendojnë se të tjerët nuk i lavdërojnë ose nuk flasin për ta, ata flasin për veten. Kjo i jep më shumë siguri.

Narcistët, ndonëse zakonisht flasin me  “unë…unë…unë”, mund të përdorin papritur vetën e tretë për t’iu përshtatur mendimit të ekzagjëruar që kanë për veten; për ta bërë veten edhe më të mirë se në realitet.

Çrregullim personaliteti: Të folurit në vetën e tretë mund të jetë një shenjë e një çrregullimi të personalitetit. Dissociative Identity Disorder (DID) është një çrregullim që karakterizohet nga njerëzit që kalojnë midis një ose më shumë identiteteve. Ata mund të ndihen sikur zëra të shumtë po përpiqen të marrin kontrollin e tyre dhe secili identitet ka personalitetin e vet. Megjithatë, përveç rasteve kur ka simptoma të tjera domethënëse, zakonisht nuk konsiderohet si një shenjë treguese kryesore.

Për t’u kuptuar nga fëmijët: Disa prindër i referohen vetes si "Mami" ose “Babi” sepse fëmijët shumë të vegjël mund të mos e kuptojnë se përemrat "unë" dhe "ti" u referohen njerëzve të ndryshëm.

Thjesht ashtu u vjen për mbarë.