Në vitet e fundit, migrimi i parregullt ka kaluar në qendër të politikave të Bashkimit Evropian. Vetëm gjatë vitit 2022 u regjistruan rreth 258 milionë migrantë, nga të cilët një përqindje e lartë përbëhet nga qytetarë që zgjedhin të migrojnë përmes rrugëve të parregullta.
Ata lënë pas familjet, miqtë, e nisin një rrugëtim të mbushur me rreziqe dhe pasiguri në pamundësi të sigurimit të dokumentave identifikuese apo mbrojtjes ligjore.
“Ti braktis gjithçka dhe gjendesh në një vend të huaj, duke e nisur çdo gjë nga e para, por pa pasur mbështetje”- thotë Arturi, një emigrant nga Shqipëria i cili ka udhëtuar drejt Belgjikës.
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), së fundmi bisedoi me 28 qytetarë shqiptarë të cilët kanë migruar drejt Bashkimit Evropian. Zërat e tyre janë pjesë domethënëse e të gjithë fushatës informuese “Shqipëria Je Ti!”, që kjo organizatë ka ndërmarrë. IOM, thotë se fushata “ka pasur për qëllim të ndihmojë qytetarët shqiptarë dhe veçanërisht të rinjtë, të njihen mënyrat e rregullta të migracionit duke paraqitur kanalet e duhura të lëvizjes, të marrin vendime të informuara dhe mbi të gjitha të eksplorojnë mundësitë e zhvillimit personal, profesional e ekonomik që ofron Shqipëria”.
Histori Migracioni është një segment i rëndësishëm, që mbështetet në eksperiencat jetësore të migrantëve shqiptarë dhe përcjelljen e mesazheve që ata kanë për cilindo që dëshiron të emigrojë në një shtet tjetër. Më poshtë do të gjeni disa nga historitë e jetuara të Arjana Farukut, Sonja Senait dhe Mersi Kallmit.
Edhe pse mjeke, Arjana nga Dibra e pa emigrimin si një mundësi për t’u zhvilluar akoma edhe më shumë profesionalisht. Që në fillim ajo ndoqi procedurat e aplikimit për punësim në Gjermani e ndërkohë që priste përgjigjen, vazhdonte të përvetësonte gjuhën e huaj.
“Për të pasur një integrim më të lehtë në shoqëri, është thelbësore që të migrosh në mënyrë të rregullt, pasi kështu njihesh si një qytetar i barabartë dhe ke mundësi të përfitosh të gjitha shërbimet e ofruara”, shprehet Arjana.
Nga ana tjetër, Sonja ka një realitet krejt të ndryshëm. E rritur në shtetin fqinj të Italisë, Sonja pas 20 vitesh vendosi të kthehej në vendin e saj të lindjes. “Gjithçka nisi nga dëshira për të lënë gjurmë në vendin tim. Pavarësisht se studimet i përfundova jashtë, zgjodha që dijen dhe profesionalizmin tim ta përdorja për të zhvilluar fushën e biznesit dhe investimit në Shqipëri”, tregon Sonja.
Në mesazhin e saj për të gjithë të rinjtë, ajo nënvizon rëndësinë e shqyrtimit të të gjitha alternativave që ofron Shqipëria, “pasi ky vend ka aq shumë mundësi për zhvillim profesional dhe personal mjafton që të kini durim dhe të bëni investimet e duhura”, përmbyll ajo.
Një tjetër histori është ajo e Mersit, një studente e re nga Vlora e cila ndan me ne përvojën e vështirë të qëndrimit në Gjermani si emigrante e parregullt së bashku me familjen e saj. Në vitin 2015, ashtu si shumë familje të tjera shqiptare, Mersi u gjend në Gjermani për shkak të vështirësive ekonomike, por qëndrimi atje nuk ishte siç Mersi e priste.
“Përballja me qëndrimin në kampe, me 200 persona të tjerë, të ndarë nga familjarët, ishte shumë e vështirë. Edhe pse aty ofrohen aktivitete të ndryshme, sidomos për fëmijët, gjatë natës ndiheshe i pasigurt”, tregon ajo.
Sot që është rikthyer në Shqipëri dhe vazhdon studimet, Mersi është e bindur se rruga e duhur për të migruar është ajo përmes procedurave të rregullta.
“Migrimi është një mundësi që njerëzit të rriten në çdo aspekt” por ajo që të gjithë të intervistuarit sugjerojnë është që talentin e përkushtimin ta investojnë fillimisht në Shqipëri.
Për më shumë detaje, ju lutemi vizitoni https://albania.iom.int/albania-you-shqiperia-je-ti.
Nëse keni pyetje dhe dëshironi të përfshiheni, ju lutemi kontaktoni mailto:[email protected].