Lufta në Ukrainë: Dimri gjen 6 milionë njerëz pa energji elektrike
Rreth 6 milionë ukrainas janë ende pa ngrohje dhe energji pas sulmeve më shkatërruese ajrore ruse në rrjetin e saj energjetik deri më tani. Ndërkohë, banorët janë paralajmëruar të përgatiten për sulme të mëtejshme dhe të rezervojnë ujë, ushqim dhe veshje.
Moska thotë se sulmet ndaj infrastrukturës bazë të Ukrainës janë ushtarakisht legjitime dhe se Kievi mund t’i japë fund vuajtjeve të popullit të tij nëse i nënshtrohet kërkesave ruse. Ukraina thotë se sulmet që synojnë të shkaktojnë mjerim civil janë një krim lufte.
“Siç e shihni, një pjesë e mirë e rajonit vazhdon të jetë akoma në errësirë totale.Së bashku duruam nëntë muaj luftë në shkallë të gjerë dhe Rusia nuk ka gjetur një mënyrë për të na thyer dhe nuk do ta gjejë një të tillë. Duhet të bëjmë durim këtë dimër, një dimër që do ta kujtojmë përgjithmonë.”,- tha Zelensky duke shtuar se shumë rajone qëndrojnë 20 madje dhe 30 orë pa energji elektrike.
Rusia ka goditur rrjetin energjetik ukrainas larg vijës së parë të luftës me breshëri raketash me rreze të gjatë veprimi rreth një herë në javë që nga fillimi i tetorit.
Një vaksinë universale për gripin: Sipas shkencëtarëve, brenda dy vitesh do të jetë gati
Një vaksinë universale e gripit që mbron nga të gjitha llojet e virusit mund të jetë e disponueshme në dy vitet e ardhshme, të paktën kështu thonë shkencëtarët. Vaksina eksperimentale e bazuar në të njëjtën teknologji, MRNA, si vaksinat e Covid rezultoi e suksesshme në provat e para, duke hapur rrugën për provat klinike te njerëzit.
Studiuesit kanë punuar për vaksinat universale të gripit për më shumë se një dekadë, por zbulimi i fundit, shihet si një hap i madh në mbrojtjen e njerëzve nga një pandemi potencialisht shkatërruese e gripit.
Vaksinat e gripit sezonal, të cilat mbrojnë deri në katër shtime të virusit, përditësohen çdo vit për t’u siguruar që ato janë të përshtatshme për viruset e gripit në qarkullim. Vaksina e re është krijuar për të nxitur sistemin imunitar kundër të 20 nënllojeve të gripit A dhe B, duke armatosur potencialisht trupin për të luftuar çdo virus gripi që shfaqet.
Takim me nënat e ushtarëve të vrarë, Putin: "Ndaj dhimbjen tuaj me ju"
“Ne ndajmë dhimbjen tuaj”,- u ka thënë presidenti rus Vladimir Putin një grupi nënash të ushtarëve rusë që kanë luftuar, dhe disa prej të cilëve janë vrarë në Ukrainë.
“Asgjë nuk mund të zëvendësojë humbjen e një djali”, tha ai në fjalën e tij hyrëse, të transmetuar në mediat shtetërore ruse.
Disa nga nënat janë anëtare të lëvizjeve pro-Kremlinit. Kritikët thonë se ata ishin zgjedhur me kujdes për takimin me kreun rus. Në të gjithë vendin, grupet e nënave të ushtarëve në shërbim janë ankuar hapur se djemtë e tyre po dërgohen në betejë të trajnuar dobët dhe pa armë dhe veshje të përshtatshme, veçanërisht kur fillon dimri i ftohtë.
Disa kanë akuzuar gjithashtu ushtrinë ruse se i ka kthyer ato të dislokuara me forcë në “ushqim topash”, pas një vargu humbjesh të rënda ushtarake në muajt e fundit.
Në një pranim të rrallë, Kremlini tha në shtator se ishin bërë gabime në përpjekjen e tij për të mobilizuar rezervistët e ushtrisë.
Elon Musk është gati jo për 1, por plot 3 tick të rinj në Twitter
Kreu i ri i Twitter tha se platforma do të nisë një shërbim të ri verifikimi të premten e ardhshme. Elon Musk tha se llogaritë e verifikuara do të kishin një tick blu për individët, tik gri për qeverinë dhe një tik ari për kompanitë. Shefi ekzekutiv i Tesla-s nuk specifikoi nëse zgjedhja e qeverisë do të zbatohej edhe për departamentet shtetërore ose entitetet shtetërore.
Ai shtoi se të gjitha llogaritë e verifikuara do të ‘autentifikohen manualisht’ përpara se të marrin shenjën e tyre. Aktualisht, më shumë se 400,000 llogari në Twitter kanë shenja blu, gjë që i shënon ato si një burim autentik.
Burimi: The Guardian, BBC