Bota

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Shkruar nga Anabel

23 Nëntor 2022

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Temperatura nën zero dhe mungesë energjie elektrike: Ukrainasit përgatiten për dimër të vështirë

Ukrainasit mund të përballen me ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike nga tani deri në mars, me mot të ftohtë dhe me borë, sepse sulmet ajrore ruse kanë shkaktuar dëme “kolosale” në rrjetin elektrik. Të paktën kështu bënë me dije autoritetet të cilët paralajmëruan njerëzit të grumbullojnë sa më shumë furnizime të munden për të përballuar ditët e vështira. 

“Ne duhet të jemi të përgatitur për opsione të ndryshme, madje edhe ato më të vështira. Mblidhni rroba të ngrohta dhe batanije”.

Rusia ka nisur gjashtë sulme masive ajrore kundër rrjetit elektrik të Ukrainës dhe pjesës tjetër të infrastrukturës që nga 10 tetori, ndërsa lufta hyn në muajin e nëntë. Ky sulm ka shkaktuar ndërprerje të gjerë të energjisë elektrike dhe ka privuar miliona ukrainas nga energjia elektrike, ngrohja dhe uji.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të martën në një fjalim video para një grupi deputetësh francez se sulmet me raketa ruse kanë shkatërruar pothuajse gjysmën e objekteve energjetike të vendit “për ta kthyer të ftohtin e dimrit në një armë të shkatërrimit në masë”. Më vonë, në fjalimin e tij të përnatshëm me video, ai njoftoi ngritjen e “Pikave të Pamposhtshmërisë” ku njerëzit mund të mblidhen për energji elektrike, komunikim me celular, qasje në internet, ngrohje, ujë dhe ndihmën e parë.

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Papa shkarkon udhëheqësit e Caritas pas zbulimit të abuzimit me fondet

Papa Françesku shkarkoi dje pas një vendimi të menjëhershëm udhëheqësit e organizatës botërore bamirëse të Kishës Katolike Romake dhe emëroi një komisionar për udhëheqjen e saj derisa të zgjidhen ekzekutivët e rinj.

Ky vendim i papritur prek ekzekutivët e organizatës Caritas Internationalis (CI), një konfederatë me seli në Vatikan që përbëhet nga 162 organizata katolike për ndihma, zhvillim dhe shërbime sociale në mbi 200 vende.

Shkarkimi i udhëheqësve, që ka mbi një milion njerëz si pjesë të stafit dhe vullnetarë në mbarë botën, u bë i ditur në një dekret papnor të publikuar nga zyra për media e Vatikanit.

Një deklaratë tjetër nga departamenti për zhvillimin i Vatikanit, që mbikëqyr punën e CI-së, tha se një inspektim i këtij viti i vendit të punës, nga ekspertë të jashtëm të menaxhimit dhe psikologjisë, gjeti pakënaqësi dhe praktika të këqija menaxhimi në selitë e organizatës.

Një pjesëtar i stafit tha për Reuters se ka raste të abuzimit verbal, favorizimit dhe keqmenaxhimit me resurset njerëzore dhe kjo ka bërë që stafi të shkarkohet.

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Sulmi në SHBA:  Një burrë vret 10 persona në supermarket

Një person i armatosur ka vrarë 10 persona në një supermarket Walmart në Chesapeake, në shtetin amerikan të Virxhinias. Nga të dhënat e para, sipas autoriteteve autori besohet të ketë qenë menaxheri i dyqanit që hapi zjarrin dhe më pas vrau edhe veten.

Si pasojë disa persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa deri më tani nuk ka asnjë motiv në lidhje me ngjarjen.

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Operacioni për shpëtimin e qindra emigrantëve në Kretë përfundon me sukses

Pas një operacioni të madh shpëtimi në një det tepër të trazuar, një anije e madhe peshkimi në gjendje të keqe e mbushur plot me emigrantë, është ankoruar në portin e Paleochorës në jug të Kretës.

Sipas autoriteteve greke, në bordin e një anijeje të madhe peshkimi, e gjendur në kushte të vështira ndodheshin 430 emigrantë, mes tyre 100 fëmijë. Madje tre prej tyre janë dërguar menjëherë në qendrën shëndetësore, me simptoma asfiksie nga kushtet e vështira.

Anija ndodhej në zonën detare rreth 20 milje detare në jug të Paleochorës, kur pak minuta pas mesnate, dërgoi një sinjal rreziku pasi kishte humbur kontrollin. Menjëherë ka filluar operacioni gjigant i Marinës greke e cila ka dërguar një rimorkiator, fregatën “Kanaris”, ndërsa kanë dhënë ndihmën e tyre dy anije mallrash dhe tre anije peshkimi italiane.

Operacioni është zhvilluar ndërsa në zonë mbizotëronte mot i keq me det mbi 7 ballë dhe dallgë 2.5 metra.

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Burimi: BBC, CNN

Bëhu pjesë e shorteut Coca-Cola

Fito çdo javë një Smart TV.

Ad by Mediadesk.al

MOS I HUMBISNI