“Zogu është lënë i lirë” shkroi Elon Musk në Twitter, fill pasi mediat raportuan se ai zyrtarisht ka blerë platformën e rrjeteve sociale për 44 miliardë dollarë. Musk e ka cilësuar veten si një “absolutist të fjalës së lirë”. Por a është dëshira për t’u siguruar njerëzve mundësinë që të flasin hapur lirshëm arsyeja pse Elon, njeriu më i pasur i rruzullit, bëhet pronar i një prej rrjeteve sociale më me ndikim në botë?!
Liria e fjalës është një ide e mirë në parim, por në rrjete sociale, ajo nuk funksionon në të njëjtën mënyrë. Twitter dhe kompani të tjera të rrjeteve sociale gjatë disa viteve të fundit kanë dështuar për të mos lejuar përhapjen e keqinformimeve dhe thirrjeve për dhunë.
Diego Naranjo, drejtor i politikave në shoqatën për të Drejtat Dixhitale Europiane, tha për Euronews se "Përqendrimi i pasurisë dhe pushtetit në pak duar është gjithmonë armiku i demokracisë dhe fakti që një nga njerëzit më të pasur në planet merr përsipër Twitter-in duhet t’i vendosë njerëzit në alarm dhe të përshpejtojë alternativat ndaj bizneseve.”
Përveç vizionit të tij për fjalën e lirë, sigurisht, Musk mund ta përdorë Twitter-in për interesat e veta vetjake. Përdoruesit e rrjeteve sociale janë në mëshirën e algoritmeve, të cilët nxjerrin të dhëna personale të përdoruesve dhe më pas përdorin informacionin për t'i mbajtur ata në faqe dhe ua shesin këto të dhënave kompanive për reklama.
Musk, CEO i Tesla, SpaceX dhe Neuralink, mund të përdorë të dhënat nga algoritmet e Twitter për kompanitë e tij.
“Musk po hyn në një treg që ka fuqi të madhe për sa i përket algoritmeve që ai mund të përdorë të dhënat,” tha Petros Iosifidis, profesor i medias dhe politikave të komunikimit në City University në Londër. Ai tha për Euronews Next se platforma do të jetë një "mjet i madh marketingu" për kompanitë e tij.