Bota

Kjo grua u varros e gjallë nga bashkëshorti dhe shpëtoi pasi kërkoi ndihmë nga ora inteligjente

Shkruar nga Anabel

22 Tetor 2022

Kjo grua u varros e gjallë nga bashkëshorti dhe shpëtoi pasi

Një grua në Washington u qëllua disa herë me thikë dhe u varros për së gjalli në pyll nga bashkëshorti i saj.

Gruaja, e quajtur Young Sook An u mor peng nga bashkëshorti i saj dhe pas torturave, u gropos në një varr, por fatmirësisht, shpëtoi pasi telefonoi policinë nga ora inteligjente Apple.

Ajo dhe bashkëshorti ishin në proces divorci dhe burri, i quajtur Chae Kyong, nuk jetonte me të, por shkonte herë pas here në shtëpi për të larë rrobat.

Ngjarja ndodhi rreth orës 13:00, kur burri shkoi në shtëpi, i qëlloi me grusht Young dhe i lidhi sytë, duart, kofshët dhe kyçet. Më pas, e çoi në një pyll të largët, hapi një gropë, i gjuajti me thikë në gjoks dhe e hodhi në gropën e hapur.

“Ndërsa isha në gropë, dëgjoja burrin që ecte vërdallë dhe më hidhte baltë”, dëshmoi gruaja.

Gjithashtu, ajo tha se kishte shumë vështirësi në frymëmarrje, pasi qëndroi e varrosur për së gjalli për disa orë, derisa policia gjeti vendndodhjen e saktë të saj.

Ekspertët gjetën gropën e sapohapur dhe gruaja arriti të shpëtonte, vetëm prej teknologjisë.

Ndërkohë, mbi bashkëshortin e saj rëndojnë akuza si: tentativë vrasjeje të shkallës së parë, rrëmbim të shkallës së parë dhe dhunë të së njëjtës shkallë.

Sipas Young, Chae Kyong An është një burrë mjaft inteligjent dhe ka shërbyer në Forcat e Ushtrisë Amerikane, ndaj kapja e tij mund të rezultojë e vështirë për policinë.