Showbiz dhe TV

Teuta Krasniqi, ish-gruaja e Bleros, komenton ndarjen e tij me Afronën

Shkruar nga Anabel

22 Tetor 2022

Teuta Krasniqi, ish-gruaja e Bleros, komenton ndarjen e tij me Afronën

Aktorja Teuta Krasniqi e vuri në dyshim pozitën e saj për të komentuar ndarjen e Blero Muharremit dhe Afrona Dikës, por megjithatë nuk iu shmang pyetjes, përkundrazi dha një përgjigje në mënyrën më të qartë dhe të qetë të mundshme.

Në një intervistë për “Mirage”, Teuta u pyet në lidhje me ndarjen dhe tha:

“Nuk e di sa jam unë në pozitë për ta komentuar. Jo vetëm kjo, por secila ndarje, për të gjithë çiftet që kanë qenë bashkë dhe janë ndarë...shikoni, askush nuk martohet me qëllim për t’u ndarë. Ajo vjen shpesh me arsye më të mëdha, ndonjëherë me arsye më të vogla që dinë të bëhen të mëdha,” tha ajo.

Më pas, shtoi:

“Kur dëgjon që një çift ndahet, të gjithë ndiejnë keqardhje. Ndonjëherë, pas asaj keqardhje duhet të shihen anët pozitive. Ndonjëherë, është më mirë më herët sesa vonë. Thjesht gjithë çfarë mund të them si njeri i tretë, që në mënyrë indirekte jetët tona janë përfolur e ndërlidhur, është që shpresoj të kenë shëndetin. Jeta të sfidon, ka gjëra të papritura, ka pakënaqësi, mirëpo në fund, unë jam shumë fanse e idesë që njerëzit duhet të gjejnë brenda vetes njerëzoren, mirësinë që dikur ka qenë dashuri dhe tani duhet shndërruar në dashuri dhe mirëkuptim.”

Divorci i Bleros dhe aktores tetë vite më parë bëri jo pak bujë, pasi nuk qe një ndër ndarjet më miqësore të showbiz-it shqiptar. Megjithatë, me kalimin e kohës, Blero dhe Teuta ia dolën të rregullonin marrëdhënien e tyre. Raporti i tyre është aq i rrallë, sa këngëtari deklaroi se në dasmën e tij me Afrona Dikën do të ftonte Teutën. Ndonëse aktorja nuk pranoi – sepse për të do të ishte pak e çuditshme – gjesti i habiti dhe surprizoi jo pak njerëzit. 

Tani, nuk dihet nëse Blero ka dëshirë të martohet sërish në të ardhmen dhe deri atëherë, ngelet enigmë: A do ta ftojë Afronën?