RM, Jin, V, J-Hope, Suga, Jimin dhe Jungkook mund të përbëjnë vërtet një nga grupet më të suksesshëm në historinë e Koresë së Jugut dhe grupin e parë korean që hyri në tregun amerikan, por kjo nuk i shpëton nga detyrimi për të kryer shërbimin ushtarak.
Duke folur me ligjvënësit, komisioneri i Administratës së Fuqisë Punëtore Ushtarake, Lee Ki Sik, tha se ishte "e dëshirueshme" që anëtarët e grupit K-pop të përmbushin kërkesën që të gjithë burrat e aftë të kryejnë 18-21 muaj shërbim ushtarak.
Fati i shtatë anëtarëve të grupit është një temë e nxehtë në Korenë e Jugut, ku opinioni publik është i ndarë. Koreja e Jugut kërkon që të gjithë burrat e aftë fizikisht dhe mendërisht të moshës 18 deri në 28 vjeç të shërbejnë në ushtri për të paktën 18 muaj, për të mbrojtur vendin nga kërcënimet nga Koreja e Veriut, e cila kohët e fundit rifilloi testimin e raketave balistike. Sipas ligjit aktual, vetëm fituesit e Lojërave Olimpike dhe muzikantët klasikë të vlerësuar globalisht, përjashtohen ose lejohen të kryejnë shërbime publike alternative.
Mirëpo përjashtimet kanë nxitur debate serioze. Në një sondazh të fundit, 61% e të anketuarve mbështetën përjashtimet për emra të tillë si BTS, ndërsa në një tjetër, rreth 54% thanë se anëtarët e BTS duhet të shërbenin në ushtri.
BTS vlen më shumë se 3.54 miliardë dollarë në vit për ekonominë e Koresë së Jugut, sipas një raporti të vitit 2018 nga Instituti i Kërkimeve Hyundai – shifër e barabartë me kontributin e dhënë nga 26 kompani të mesme. Instituti tha se BTS është arsyeja pse një nga 13 turistë vizitojnë Korenë e Jugut.
Por, të gjitha këto nuk kanë rëndësi kur vjen puna te ushtria. Ligji është ligj.
Kompania që menaxhon BTS ka thënë më parë se anëtarët e grupit do të kryejnë shërbimin e tyre pa problem. “Kompania beson se shërbimi ushtarak është detyrë,” tha themeluesi i Big Hit Entertainment, Bang Si-hyuk.