Të vishesh me të bardha në një dasmë kur s'je nusja (dhëndri) është paksa jashtë rregullave të etikës, por jo kur je Dua Lipa! Kësaj të fundit i lejohet të veshë çfarë të dojë pasi në çdo dalje vërteton se stili i saj është aq unik, sa nuk do të merret askush me këtë detajin e etikës.
Dua Lipa ishte një nga të ftuarat në dasmën e dizajnerit Simon Porte Jacquemus dhe partnerit të tij këtë fundjavë. Siç duket nga fotot, këngëtarja zgjodhi të vishte fustan në formë tyli transparent, me detaje shumë delikate lulesh, stiluar nga vetë dhëndri.
Fustani ishte i hapur në pjesën e shpinës dhe Dua dukej *hyjnore*. 27-vjeçarja e kombinoi fustanin me një palë sandale të thjeshta, çantë të zezë dhe vathë gjigante të bardhë që ishin 100% në harmoni me flokët e gjatë, të lëshuar e të drejtë.
Përsa i përket ngjyrës së bardhë, duket se ishte vetë Jacquemus i cili vendosi të ishte ky kodi i veshjes në dasmën e tij dhe mundësisht, të ftuarat të mbanin krijime të tijat.
Dizajneri i famshëm kurorëzoi dashurinë me partnerin e tij prej shumë vitesh, Marco Maestri përmes një ceremonie private në Charleval, në jug të Francës.
Vetë Jacquemus mbante veshur një kostum klasik të zi, e ndërsa Maestri zgjodhi një kostum në ngjyrë kremi. Çifti janë bashkë që prej 2018 dhe vitin e kaluar bënë publike fejesën.
Burimi: Harper's Bazaar