Tre gra gjenden të vdekura: Policia e Romës është në kërkim të një vrasësi të mundshëm serial
Policia në Romë është në kërkim të një vrasësi të mundshëm serial pasi trupat e tre grave u gjetën në dy apartamente në lagjen luksoze Prati. Dy nga gratë, të dyja punonjëse seksi me kombësi kineze që besohet të jenë të moshës nga 40 deri në 50 vjeç, u gjetën të vrara me thikë në një apartament në Via Augusto Riboty.
Portieri i pallatit telefonoi policinë pasi mëngjesin e së enjtes gjeti trupin e njërës prej grave të ndjera në pragun e banesës, ndërsa trupi tjetër u gjet brenda. Trupi i një gruaje kolumbiane, e identifikuar si Marta Castano Torres, gjithashtu punonjëse seksi e cila ishte goditur me thikë për vdekje, u gjet nga motra e saj bodrum në një rrugë aty pranë. Një burim në policinë e Romës tha se hetuesit po punonin mbi teorinë se gratë ishin vrarë nga i njëjti person.
Shumë sponsorë të Kupës së Botës janë të shqetësuar për kontratat pas ndalimit të alkoolit në Katar
Sponsorë të shumtë kanë ngritur shqetësime ose probleme me FIFA-n në lidhje me kontratat e tyre në Kupën e Botës në Katar, zbulon Guardian. Një përfaqësues i një sponsori të madh, duke folur në kushte anonimiteti, tha se shumë partnerë ishin ndjerë "të zhgënjyer nga FIFA në shumë mënyra". Ata gjithashtu treguan se kishte pasur diskutime joformale rreth shkeljeve të mundshme kontraktuale dhe refuzimit të produkteve. Më herët FIFA konfirmoi se alkooli nuk do të shitet brenda apo rreth perimetrit të stadiumeve të Kupës së Botës.
Lexo edhe: World Cup 2022: Tifozëve s'do t'u pëlqejë fare, po fare ky lajm!
Vajza 10-vjeçare ndihmoi nënën të lindte në shtëpi
Një vajzë 10-vjeçare e quajtur Miracle është lavdëruar nga zyrtarët qeveritarë pasi ndihmoi nënën të lindte motrën e saj në shtëpi me disa këshilla nga një operator i 911. Miracle Moore telefonoi urgjencën pasi nënës së saj i filluan dhimbjet e lindjes tre javë më herët. Ato ndodheshin në shtëpinë e tyre në Jennings, Missouri.
Nuk kishte kohë për ta çuar nënën e saj – Viola Fair – në spital, kështu operatori i shpjegoi Miracle se çfarë duhet të bënte që nëna ta lindte foshnjën në mënyrë sa më të sigurt. Mjekët e ndihmës mjekësore shkuan shpejt për të marrë nënën dhe foshnjën dhe për të vlerësuar shëndetin e tyre në spital. Për fat të mirë, të dyja gëzojnë shëndet të plotë.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, fotografohet me të bijën
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, është fotografuar me vajzën e tij për herë të parë. Në fotografi, ata shfaqen dorë për dore duke parë lëshimin e raketës më të madhe balistike të vendit. Koreja e Veriut testoi një raketë balistike ndërkontinentale Hwasong-17 (ICBM) të premten, njoftoi të shtunën agjencia shtetërore e lajmeve KCNA.
Surpriza më e madhe, megjithatë, ishte prania e vajzës së Kim, ekzistenca e së cilës nuk ishte konfirmuar kurrë publikisht më parë. Kim besohet se ka tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë, thanë ekspertët.
Rusia thotë se ushtarët ukrainas ekzekutuan të burgosur të luftës në rajonin e Donbasit
Kremlini ka akuzuar ushtarët ukrainas për ekzekutimin e më shumë se 10 të burgosurve rusë të luftës pas qarkullimit të një videoje në rrjetet sociale që pretendohet të jetë nga vija e frontit. Pamjet duket se tregojnë një grup ushtarësh rusë që dalin nga një ndërtesë me duart mbi kokat e tyre përpara se t'u thuhet të shtrihen me fytyrë poshtë. Pamjet, në dukje të marra nga një ushtar ukrainas, sugjerojnë se të gjithë rusët u vranë. Janë të paktën 12 trupa.