
Ditën e djeshme, siç edhe u paralajmërua në Instagram, gjatë transmetimit të emisionit “Përputhen”, u tregua ngjarja e plotë dhe u dha vendimi mbi Laert Vasilin. Lajmet rezultuan të vërteta: puthja kishte ndodhur, dhe produksioni vendosi që Laerti të largohej nga studioja.

Gjatë një debati mes Esmes (vajza që ai puthi) dhe një prej djemve konkurrentë, teksa jepte opinionin e tij mbi situatën, tha se kishte vetëm një mënyrë për t’i mbyllur gojën një gruaje. Laerti u çua nga kolltuku, u drejtua te Esme dhe e puthi.
Pas kësaj, ajo dhe moderatorja e emisionit, Megi Pojani, u larguan për pak nga studioja. Ky veprim fillimisht u justifikua nga disa persona në studio, por edhe nga vetë Laerti, duke thënë se puthja ishte thjesht për të demonstruar atë që donte t’i tregonte një prej djemve me të cilin po debatonte, pasi në fund të ditës ai është aktor.
Kur u kthye në studio, Esme shprehu tronditjen e saj dhe tha se nuk pranonte atë që kishte ndodhur. Më pas, radha e fjalës i erdhi Laertit:
“Dakord, i thashë, unë të kërkoj shumë ndjesë! Por, u ngrita dhe në qoftë se mund të ktheheni mbrapa në video, mund të shikoni që kam bërë me shenjë, thashë ‘fol, fol, fol’ dhe ai duhet të bënte këtë gjë. Nëse ty të kam sjellë në një pozitë të vështirë, që është logjike, unë të kërkoj shumë ndjesë.”


Pas kësaj, shtoi:
“Ngaqë profesioni im si aktor më lejon, siç ka qenë në një format tjetër që mund të kem puthur dikë për shembull edhe kam thënë kështu puthet, të njëjtën gjë bëra edhe këtu.”
Pas fjalës së tij, Megi Pojani i kërkoi ndjesë Esmes në emër të saj dhe produksionit, dhe fill pas kësaj kërkoi që Laerti të largohej nga studioja.
“Edhe një herë të kërkoj ndjesë Esme, por është e vështirë të kuptohet teatri,” tha ai përpara se të largohej.



