
Nuk kishin kaluar ende 24 orë nga dalja e klipit të saj më të ri “E jemja”, kur ne vendosëm të realizojmë këtë kopertinë. Prej kohësh në redaksinë e Anabel.al, emri i Luanës qarkullonte si një nga kandidatet më të mundshme për të ri-nisur kopertinat e Anabel, tashmë dixhitale në web. Fati ishte që kur vendosëm ta bënim, prezantuesja dhe tashmë këngëtarja, po mbyllte montazhin e “E jemja”. Herën e parë kur Luana ishte në kopertinën e revistës (atëherë Print), i kishte flokët e kuqe flakë. Nuk kishte prezantuar asnjë Top Fest, jepte parashikimin e motit, nuk kishte Instagram dhe adresën e FB e mbante personale. Gjatë setit fotografik ishte shumë e përqëndruar dhe pranoi çdo sugjerim tonin edhe kur vendosëm që t’ia hiqnim komplet vetullat me anë të grimit. Nuk foli atëherë dhe nuk fliste asnjëherë në media për jetën e saj private.
5 vjet më vonë, Luana është bjonde, ka të njëjtin trup dhe forma të hatashme (90-60-93) vazhdon të japë parashikimin e motit çdo darkë pas edicionit qëndror të lajmeve në Top Channel, por ka dy vjet që prezanton edhe Summer Fest, 4 vjet me rradhë së bashku me motrën e saj Marina ishin prezantueset e Top Fest, momentalisht bashkë-drejton me Alban Dudushin segmentin “Pa limit” tek "E Diell" dhe brenda një viti ka nxjerrë 3 klipe të reja, duke e konsideruar seriozisht edhe karrierën si këngëtare. Vazhdon të mos flasë për jetën private, ndërkohë që mediat dhe fansat provojnë pa sukses të “çkodojnë” ndonjë romancë të mundshme në Instagramin e saj prej 185,000 ndjekësish.
Luana është po ajo që ka qënë edhe në vitin 2010, vetëm se tani, fama e saj është 10fishuar. Ajo ka arritur të ketë popullaritetin e këngëtareve pop në profesion, madje ka grupin e saj të fansave të çmendur, një pjesë e të cilëve kanë krijuar një traditë, duke i cuar gati çdo ditë tufa me lule. Është nga të paktat prezantuese në Top Channel, që ka dalë përtej gardhit të këtij televizioni, duke krijuar një jetë të pavarur artistike.
Madje shpesh të duket sikur ka dy jetë paralele. Në njërën ajo është me një body dandelle të tejdukshme, duke kafshuar buzët në kamera dhe në një tjetër, ka një këmishë të bardhë të futur nën një fund të ngushtë të thjeshtë dhe me lëvizje të shpejta të dorës, shpjegon lëvizjen e masave atmosferike. Nëse shumë të tjerë do t’u duhej të paktën këtë vit të bënin një zgjedhje, Luana i bën qetësisht të gjitha. Madje edhe më shumë, nëse do t’i jepej shansi. Nuk i ka thënë kurrë jo punës dhe ka dhënë gjithçka tek çdo projekt që ka marrë në dorë. Dhe nëse një mundësi e artë i ka ikur nga dora, në qetësi është rikthyer sërish pranë hartës së Shqipërisë dhe po në qetësi ka vijuar me pasionin e saj të dytë këngën, pa folur, pa reaguar dhe pa u inatosur me askënd që ka dashur ta pengojë apo nuk ia pëlqen zgjedhjet.
Kur fillon e mendon për ngjitjen e karrierës së saj, kupton dhe sekretin e Luana Vjollcës: “Përkushtoju punës ashtu siç duhet dhe jep aq sa duhet.” Një sekret i mençur që do ta mbajë për një kohë të gjatë në treg.
Nëse i rikthehemi ekranit dhe eksperiencave të tua në “Top Channel” mund të themi se kanë ndryshuar shumë gjëra që nga fillimet e tua. Ti je bërë më e njohur, ke prezantuar një sërë programesh të rëndësishme por ka një gjë, të cilën e bën ende prej 6 vitesh dhe me të cilën identifikohesh te Top-i: Parashikimi i Motit. Pse kjo zgjedhje: është dëshirë e jotja, kur ke menduar ta lësh?
Moti, ka kohë që është menduar të mos jetë më pjesë e imja dhe jemi duke gjetur një figurë të re që të jetë e përshtatshme. Megjithatë, edhe pse kanë kaluar 6 vjet, dhe po punoj çdo ditë dhe me projekte të tjera, moti tashmë është bërë pjesë e imja dhe njerëzit janë mësuar të më shohin aty dhe nuk është se më bezdis kjo gjë. Fundja pse mos ta themi që ka edhe njerëz të famshëm të huaj që, edhe pse arrijnë të jenë yje, motin vazhdojnë ta bëjnë. Është një hapësirë që mua më mban në një kontakt të përditshëm me publikun dhe kjo është e e bukura e tij.
Një tjetër eksperiencë e rëndësishme për ty ka qënë edhe prezantimi i “Top Fest”. Këtë vit ti nuk je e përfshirë. Çfarë ndodhi: ishte vendimi i produksionit apo zgjedhja jote?
"Top Fest" është konceptuar në mënyrë të tillë, ashtu siç edhe e kemi parë, që çdo 3 vjet të ketë risi, jo vetëm në format por edhe në prezantim. Unë dhe Marina qëndruam 4 vjet në prezantim të tij, Por mendoj që një program i këtij formati të ketë sukses ka shumë nevojë të ketë risi dhe rifreskim në komplet ideimin e tij. Këtë vit vjen ndryshe dhe jam e bindur në suksesin e tij, si çdo herë tjetër.
Po rikthimi në 'E Diell" çfarë ndjesie të jep? Të shohim ndryshe, në një program argëtues si asnjëherë më parë…
"Pa Limit" në "E Diell" është një format që është menduar fiks për aty ku unë dua të jem dhe aty ku jam më së miri, domethënë në show, në emisione pa korniza. Të them të vërtetën, kur është menduar të nisim këtë rubrikë të re në “E Diell", kam qënë pak skeptike për atë sesa do e realizonim siç duhej dhe sa do kuptohet ajo që ne donim të thonim, pavarësisht se emisioni nuk ka ndonjë moral, por bëhet thjesht për argëtim. Nuk është e thënë se në çdo program televiziv duhet kuptuar diçka! Ky është një format që është bërë, edhe në Amerikë më herët dhe vazhdon të bëhet, edhe në Francë dhe më vjen mirë që po arrijmë të njëjtat standarte me ta. Kam përshtypjen që do jetë një program që do të vazhdojë edhe me tej, duke ndjerë pëlqyeshmërinë e publikut.
Luana kur morëm vesh përmasat e trupit tënd, u xhelozuam pak. Perfekte! Si ia bën, që të marrim ca shënime? (Qesh)
Faleminderit (qesh), por nuk jam aq perfekte sa po me thua në fakt. Përmasat janë mirë, por unë nuk kujdesem fare, nuk kam bërë asnjëherë palestër. Duhet të fillojë, pasi jeta monotone, lëvizja me makinë, dhe mosbërja e ndonjë sporti do më penalizojnë dhe pak. Por po përfitoj falë metabolizmit që kam dhe përpos faktit që s’bëj palester, ha shumë dhe sidomos pasta. Nuk e di dhe sa kohë do jem kaq me fat.
Ti vetë je e kënaqur me pamjen tënde?
Unë jam e lumtur për virtytet që gëzoj dhe nuk e shoh parësore pamjen, të paktën jo në këtë pikë të jetës në të cilën jam tani. Më duhet ta pranoj që, nuk ka qënë kështu në fillimet e mia sepse atëherë i jepja më shumë rëndësi pamjes sime, ndërsa tani ndihem rehat kështu siç jam dhe e di që për momentin kam gjëra më prioritare dhe më parësore në jetë, për të cilat duhet të mendoj dhe kryesore të punoj fort.
Zakonisht ndodh që njerëzit e ekranit apo të showbizit gjejnë difekte te vetja e tyre. Ndoshta do t’u pëlqente një hundë më e vogël, buzë pak më të trasha, vithe më të ngritura e kështu me radhë. Ti i gjen vetes difekte në pamje?
Edhe unë jam një njeri, si çdo njeri tjetër, që kur shihem në pasqyrë i gjej vetes 120 difekte dhe nuk di nga t'ja nis (qesh). Por e di çfarë: siç e thashë më lart jam shumë e lumtur me gjithçka që kam dhe pavarësisht se njeriu nuk kënaqet dhe do gjithmonë më të mirën dhe e mira s'ka fund, por kur mendon që, edhe e keqja s'ka fund…them faleminderit Zot!
Dhe cilën nga këto 120 difekte do të rregulloje? Ka diçka në të cilën do vendosje të bëje një ndërhyrje?
Shiko, të them të drejtën nëse do kisha dëshirë të bëja diçka të tillë, do e kisha bërë!
Me këtë do të thuash që nuk ke bërë asnjë ndërhyrje deri më tani?
Absolutisht jo, asnjë! Në momentin që unë do të bëjë një të tillë, do e them. Jo për gjë, por nuk do jetë vështirë për t’u kuptuar sepse kam 8 vjet në ekran, kam dal që 15 vjeç dhe deri sot që jam 23, tiparet e fytyrës normal që do ndryshojnë sepse jemi në rritje. Normalisht që ti kujdesesh më shumë që të dalësh më bukur, do ndryshosh mënyrën si lyhesh, do rregullosh pak vetullat se kur ke qënë 15 vjeç i ke pasur më të trasha dhe më të bashkuara. Nëse lamë pa përmendur mollëzat, çfarë t'ju them: ato i kemi njësoj të gjitha femrat e familjes.
Kur të sheh kështu pa make up, dukesh shumë fresh. Kujdesesh për lëkurën, ka disa rituale që i ndjek çdo ditë?
Për fytyrën në fakt mundohem të kujdesem, pasi e kam pikë të dobët lëkurën. U bënë tetë vjet që vendos grim çdo ditë, për shkak të punës së përditshme në ekran dhe jam e detyruar të kujdesem. Nuk kam ndonjë produkt të veçantë që duhet të përmend. Mjafton që ta pastroj atë çdo natë, të bëjë 1-2 herë në javë trajtim të thellësishëm, që të heqë çdo lloj papastërtie që mund të kem marr dhe thjesht mundohem që siç ti po më sheh tani (pa grim), të jem gjatë kohës, kur nuk kam punë.
E nëse ti shfaqesh në rrugë pa make up, çfarë ndodh me komentet, të bezdisin?
Po nuk është se më pengojnë komentet, por thjesht është ideja që ke një imazh dhe pse mos ta ruash atë. Nuk është se jam një vajzë që dal shumë apo frekuentoj lokalet që janë të mbushura me njerëz po kur dal, mundohem të jem e kujdesshme në imazh.
Shumë lule në Instagram...
Shumë (qesh). Jo vetëm në Instagram, por edhe në shtëpinë time.
Pse zgjedh t'i postosh të gjitha në Instagram, është thjesht dëshira jote për ta bërë diçka të tillë?
Nuk i postoj të gjitha në fakt. Postoj ato që më duhet të postoj, për t'i falenderuar sepse mendoj se kjo është një mënyrë e mirë falenderimi. Meqënëse Instagrami na merr shumicën e kohës, të paktën bëjmë diçka që të tjerëve i jep kënaqësi, ashtu siç më japin mua lulet e tyre. Kjo është një gjë e bukur, nëse dikush të bën të lumtur pse jo, një koment apo një postim i imi mund t’i bëjë ata gjithashtu të lumtur. Të paktën këtë kam vënë re unë.
Si i përzgjedh lulet që poston? The që disa 'të duhet t'i postosh', po ato të tjera pse mbeten pa postuar?
Po ka raste që nuk i postoj për shkak se vijnë me kartela me emër dhe numër telefoni. Në këtë rast zgjedh t'i dërgoj thjesht një mesazh falenderimi për buqetën dhe nuk kam pse ta postoj. Nuk më është kthyer në mani të postoj të gjitha lulet që marr sepse dua t'i tregoj botës që unë marr lule. Është thjesht shume ndjesi e bukur dhe meqënëse eshtë Instagrami im, unë kam dëshirë ta ndaj këtë me ata njerëz që më ndjekin aty, për të parë më tepër nga jeta ime dhe që së fundmi më therrasin të gjithë ‘Lule’. Po fundja kush bezdiset nga lulet?! Do vazhdoj t’i postoj (qesh)
Tani le të flasim pak për klipin më të ri. Ka shumë pak orë që ka dalë, si po të duket se është pritur?
Ohh sa mirë që do flasim për klipin, më në fund (qesh). Me klipin dhe me këngën më ka shkuar paksa gjatë sepse kënga ka qënë për të dalë maksimumi në Janar ose në fillim të Shkurtit, por kjo për shkak se unë i dua gjërat siç i ideoj në kokë, duke qënë se është një pjesë të cilën unë e bëj për veten dhe familjen time, sigurisht edhe për të gjithë ata që më mbështesin dhe e duan edhe këtë pjesë timen. Jam shumë e lumtur nga komentet e para në rrjetet sociale sepse kanë qënë në përgjithësi pozitive, megjithatë nuk më takon mua të flas për klipin dhe këngën time.
Ti nuk je e vetmja nga bota e televizionit që i drejtohesh këngës, ka edhe prezantuese të tjera që e kanë bërë diçka të tillë. Ndoshta pak e dinë që përveç pasionit të madh që ti ke për muzikën, je marrë në fëmijerinë tënde me të dhe pasioni jot nuk mbeti vetëm te një këngë. Kur ti lançove klipin e parë, njerëzit menduan se “Ok, nuk është hera e parë që një prezantuese këndon”?, por ti vazhdove më tej, me këngë dhe videoklipe të tjera. Kjo do të thotë se do të të shohim si këngëtare, të ftuar nëpër koncerte dhe ku performanca jote do të paguhet apo do zgjedhësh të prezantohesh thjesht me klipe e këngë të reja?
Hmm kjo është një pyetje e bukur në fakt, por nuk është e menduar nga ana ime. Nuk është diçka të cilën unë e kam planifikuar që do bëj këtë gjënë, për të arritur këtë gjënë tjetër, që të marr më shumë famë, lekë apo ku di unë! Nuk është se e shoh kështu të ardhmen. Mendoj se do merrem me muzikën derisa të më mbushi mua dhe të kem këtë vullnet kaq të madh për ta bërë këtë punë vetëm dhe me një dashuri shumë të madhe. Askush s’di të flasë për atë që e pret, unë di çfarë dua të realizoj dhe dua që mos të flas unë, por puna ime. Në këtë moment s’mund të them ende asgjë sepse ështe shumë herët.
Por çfarë synon realisht me këtë?
Mund të duket klishe kjo që do them e ndoshta do ketë nga ata që do mendojnë se po e them këtë sa për të thënë, por sinqerisht synimi im më i madh është që kur unë të dal për të kënduar LIVE, sepse do e bëj , të realizojë atë ëndërr që mamaja ime e la përgjysëm pa deshirën e saj. E shoh në sytë e saj lumturinë që unë sadopak po ngjis shkallët e asaj që ajo la, dëshiron shumë që unë të dal të këndoj live, sepse ndoshta më shumë se unë, është ajo që mërzitet nga disa komente të njerëzve. Muzika është ëndrra e saj! E unë ja kam premtuar.
E thamë edhe më sipër që ti ke kënduar që fëmijë. Pse nuk flet shpesh për këtë?
Janë të paktë njerëzit që e dinë këtë fakt dhe më vjen mirë që po e përmend. Njerëzit nuk e dinë dhe kjo sepse unë kam zgjedhur kështu. Të them të vërtetën, me gjithë hapësirën televizive që unë kam mund të kisha zgjedhur t'i bëja shumë më shumë pompim pjesës së këngës, duke treguar për pjesmarrjet në ‘Festivalet e Fëmijëve’, të publikoja gjithe fotot e mia në të tilla evente, por nuk e kam bërë sepse nuk e kam pasur kurrë për të tjerët. Arsyen e vërtetë e tregova më lart, kjo më mbush mjaftueshëm mua!
Meqënëse jemi këtu, më thuaj sinqerisht ç'mendim ke për këngëtaret profesioniste, që kanë një formim dhe shkollim të mirëfilltë dhe që shohin të përfshirë në muzikë edhe një prezantuese, e cila merr më shumë famë dhe klikime se ata, sepse dashur pa dashur ti identifikohesh kështu?
Di të them vetëm që bota e artit është shume e madhe dhe ka vend për të gjithë ata që janë të talentuar dhe që punojnë fort! Unë jam në vendin tim! Dhe besoj fort që secili prej nesh e ka vendin e tij.
Flasim pak për Marinën tani. Si është raporti juaj, ju jeni motra apo shoqe të ngushta?
Flasim patjetër, nuk shkon intervista pa Marinën! Marina është gjithçka për mua. Jam e bindur që do ishte shumë e vështirë që unë të ecja pa të. Jo se jam mësuar me Marinën por ndjej që ajo është një forcë e jashtëzakonshme. Përsëris veten por e rithem, ajo është gjysma ime, tashmë karakteret tona identifikohen, ne plotësojmë njëra-tjetrën. Ka gjithçka që unë nuk e kam, thjesht dua ta kem tërë jetën të pandarë, qoftë për një mendim, qoftë për një kritikë, qoftë për të qarë e për të qeshur bashkë. Kështu jemi ne!
Ka një program që Luana ka dëshirë të realizojë, që e synon?
Nëse e ke fjalën për programet aktuale të “Top Channel”, nuk kam një program që synoj ta kem. Ia di për faleminderit drejtuesve, që edhe pse në fillimet e mia, kur as unë vetë nuk kisha besim te vetja, ata më besuan programe të mëdha. Ç’mund të them: Ia dola! Tani jam në një pikë që dua të bëj gjëra të reja dhe që më rrisin dhe më tutje në formimin tim profesional. Sigurisht që kam objektivat e mia. Jam e lumtur që sot kam arritur të kem shumë njerëz që më mbështesin në çdo hap timin, që e duan atë që unë bëj dhe realisht janë një frymezim i madh për të punuar dhe më fort!
Fotografia: Geljant Kaleci
Stilist: Niko Komani
Vendndodhja: Sar'Otel