Historia tronditëse me të cilën është përballur në të kaluarën këngëtarja Adelina Ismajli është rikthyer në qendër të vëmendjes pas disa raportimeve nëpër media sipas të cilave ajo dhe motrat e saj, Zanfina dhe Ema, do të shoqërohen nga policia për në gjykatë, pretendime të cilat këngëtarja i mohon.
Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur 15 vjet më parë, ku polici Triumf Riza, asokohe i dashuri i Adelinës, mbeti i vrarë nga një atentat. Hetimet e organeve të ligjit në Kosovë kanë shpallur fajtor Enver Sekiraqën si porositës të atentatit. Sekiraqa kishte pasur më parë një lidhje me Adelinën dhe dyshohet se e ka shantazhuar. Vazhdimisht është përfolur se shkak i vrasjes së Triumf Rizës ishte raporti i tij me këngëtaren, gjë që është mohuar nga Sekiraqa si edhe i ati i Rizës.

“Të dashur miq dhe fansa, asnjë polici nuk është duke më kërkuar mua dhe as motrat e mia. Ne nuk jemi kriminele dhe nuk kemi raste në polici. Jemi dëshmitare të një rasti dramatik që ka ndodhur para 15 vitesh dhe kemi bashkëpunuar me të gjithë institucionet e Republikës së Kosovës për zbardhjen e rastit. Më shumë se 10 vite dëshmi në gjyqe sa herë është kërkuar nga ne duke rrezikuar jetët tona nga banda kriminale që na kanë kërcënuar pa ndalur dhe vazhdojnë [ende]. Të mos flasim për dëmtim të imazhit dhe të gjithë reperkusionet negative që ka pasur në jetët tona profesionale. Ky rast përsëritet çdo 3 vjet tani dhe nuk merret një vendim final.” – shkruan këngëtarja në Instagram.
"Ne mund dhe të paraqitemi në gjykatë për t'u thënë të njëjtat fjalë sikurse është e shkruar në letrat tona, por nuk jemi të interesuar për show mediatik lidhur me këtë rast, show i cili u përket strukturave kriminale në Kosovë apo shërbyesve të tyre që siç duket duan ta mbyllin këtë rast me një epilog ndryshe nga vendimi i gjykatës," shton ajo.
Pas vrasjes, Adelina Ismajli u bë një nga organizatoret e protestave për të vënë në vend të drejtësinë, madje i kushtoi Rizës këngën me titull "Trimit tim", ku vajton humbjen e tij.