Marredhenie

Si tingëllon një kërkesë faljeje aspak e sinqertë?

Shkruar nga Anabel

14 Qershor 2022

Si tingëllon një kërkesë faljeje aspak e sinqertë?
Në situata të ndryshme, të gjithë kemi kërkuar falje, në mënyrë krejt të sinqertë, pasi e kemi kuptuar gabimin. Por, ka edhe shumë raste kur njerëzit kërkojnë falje dhe nuk e kanë aspak seriozisht. Kjo mund të variojë nga faktorë të ndryshëm:
Dëshira për të manipuluar
“Detyrimi” nga një faktor/ person i caktuar
Tentativa për të mbyllur diskutimin

Është e pamundur që ti të hysh në zemrën e dikujt dhe të kuptosh nëse po të kërkon falje me të vërtetë, ama fjalët nuk mashtrojnë. Nëse vëren këto shprehje, ka shumë gjasa që personi që po të kërkon ndjesë, do ta ripërsërisë gabimin.

Më fal, por ti më shtyve të veproja ashtu/ të thoja atë fjalë.
Kjo të bën të mendosh se je ti ai/ ajo që nis problemet.

Më vjen keq që ndihesh kështu.
Në fakt, kjo “ndjesa” e kthen fajin nga ana jote dhe ti mendon se e ke tepruar me reagimin.

Mirë, më fal. Ndihesh më mirë tani?
Mëse e qartë që po të kërkon falje për të mbyllur muhabetin ose shmangur situatën.

Më fal, por pse nuk s’ma the kur ndodhi?
Sa herë që ta risjellësh në vëmendjen e tij/ saj, me këtë fjali do të hasesh.

Më fal, por edhe ti kishe faj.
Faji jo domosdoshmërisht duhet ndarë përgjysmë.

Të thashë pra, më fal. Çfarë do tjetër prej meje?
Të ndryshosh, mbase?

Më fal. Thjesht po përpiqesha të…(bëja një shaka/ të të ndihmoja…)
Nëse vijon kështu, dikush po përpiqet thjesht të justifikohet, jo të të kërkojë ndjesë.

Kërkesa për falje është e çiltër dhe bëhet kur dikush është plotësisht i ndërgjegjshëm mbi dëmin që ka shkaktuar dhe nuk përpiqet që të tkurrë përgjegjësitë e tij/ saj.

Gjithashtu, ki parasysh që nuk je i/ e detyruar të falësh, nëse nuk do ta bësh!