Karriera

Super suksesi i radhës i Camille Vasquez, një mësim për punëdhënësit dhe punonjësit

Shkruar nga Anabel

8 Qershor 2022

Super suksesi i radhës i Camille Vasquez, një mësim për

Camille Vasquez – avokatja e Johnny Depp që padyshim luajti një rol të rëndësishëm në gjyqin e famshëm falë përgatitjes së shkëlqyer – u vendos në “shënjestër” të shumë kompanive. Siç mund ta keni lexuar, shumë firma ligjore u vunë në garë për ta bërë pjesë të ekipit të tyre. Gjithë çfarë ndodhi më vonë mendojmë se mund të shërbejë si një leksion i mirë për punëdhënësit dhe njëkohësisht edhe për punonjësit.

Dje, firma Brown Rudnick – e cila përfaqëson klientë nga e gjithë bota në proceset gjyqësor, pjesë e së cilës është edhe Camille – njoftoi se avokatja është ngritur në detyrë dhe nuk është më një bashkëpunëtore, por tashmë është partnere (ortake) në biznes.

Për të shpjeguar termat: Bashkëpunëtor është një profesionist që punon në ose për një kompani a biznes. Partner është dikush që zotëron një pjesë të një kompanie/biznesi dhe renditet më sipër në hierarkinë e vendimmarjes dhe fitimeve. Pra, partnerët (ortakët) marrin një pjesë të fitimeve të firmës, përveç pagës së tyre, ndërkohë që bashkëpunëtorët kanë një pagë të paracaktuar si edhe mund të marrin shpërblime për performancën e tyre.

Dikush, me të drejtë mund të ngrejë pyetjen: “Po nëse gjyqi nuk do të ishte publik, a do ta kishin bërë partnere në biznes? Ajo nuk u bë një avokate e zonja brenda natës? Pse nuk u bë më parë?”

Camille u bë pjesë e firmës ligjore në vitin 2018. Të emërohesh partnere në biznes katër vjet më vonë është goxha arritje.

Fakti që punëdhënësit i besuan një gjyq kaq të famshëm, që do të transmetohej në mbarë botën, dëshmon që ata e vlerësonin. Ata ia njihnin vlerat, i besuan një gjyq të këtij niveli dhe vendosën ta mbajnë në kompani duke e shpërblyer. Fitojnë të dyja palët.

Super suksesi i radhës i Camille Vasquez, një mësim për

Në njoftimin për ngritjen në detyrë, firma Brown Rudnick shkruan se vendime të tilla bëhen me dije zakonisht në fund të vitit fiskal, “por performanca e Camille gjatë gjyqit të Johnny Depp i dëshmoi botës se ajo ishte gati ta bënte këtë hap tani.” Ky ndryshim me siguri është nxitur nga fakti që Camille mund të rekrutohej nga kushdo. Brown Rudnick i duhej vërtet ta mbante.

Mbajtja e punonjësve më të mirë mund të jetë një sfidë e vërtetë, veçanërisht kur ata janë të talentuar, me përvojë, mund të zëvendësohen me vështirësi dhe mund t’u ofrohen pagesa më të larta nga kompanitë konkurrente. Por programet e partneritetit janë një mënyrë e mirë për t’i motivuar, për të rritur performancën dhe për të ndryshuar dinamikën e kompanisë. Rasti i Camille përcjell mesazhin: Mos i lejoni punonjësit e talentuar që të ikin sepse ju mendoni se nuk ka vend për ta në krye të kompanisë.

Nga ana tjetër, përsa i përket leksionit për punonjësit, Camille ishte e zonja. A zëvendësohej lehtësisht? Dyshojmë. Pra, zbulo çfarë di të bësh dhe bëhu ndër më të mirët e fushës tënde, aspak lehtësisht i zëvendësueshëm; të tjerat do të vijnë vetë. 

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.

MOS I HUMBISNI