I dashur fëmija im i dytë,
Do ta kuptosh një ditë që të qenurit prind nuk vjen me ndonjë hartë udhëzuese. Kam qenë e dëshpëruar në lidhje me detyrën time disa herë, por me raste i kam besuar vetes. Mirëpo ndodh të bëhen gabime dhe nga gabimet mësohet. Do doja që gabimet që bëra me ty t’i kisha mësuar më herët.
Kurrë s’duhet të të kisha krahasuar me vëllanë tënd të madh.
Prindërit e dinë që s’duhet ta bëjnë këtë, por ndonjëherë gjërat ndodhin në pavetëdijen tonë. Kur ti linde, e konsideroja veten një nënë veterane. I kisha bërë të gjitha më parë – ushqyerjen në mes të natës, orët e zgjatura të stërvitjeve sa andej-këtej. E dija se çfarë duhet bërë për të të qetësuar kur qaje...ose kështu mendova.
Po ti ishe kokëfortë që në fillim. Në tre muajt e parë, kur rriteshe brenda meje, më dërgoje në tualet çdo orë të ditës. E pastaj më shqetësove duke ardhur në jetë 5 ditë me vonesë. Që në frymëmarrjen tëndë të parë, më tregove se ishe një forcë që duhej marrë parasysh. Ti nuk bëjë kompromis; do t’i bëjë gjërat sipas ritmit tënd, zakonisht më të shpejtë ose më të ngadaltë se të tjerët. Për ty, rregullat janë bërë vetëm që të thyhen.
Po, e pranoj! Ke bërë disa gjëra shumë më shpejt se yt vëlla; si ngjitesh tek shilarësja, si qëndron mbi tavolinë dhe më thua me forcë “jo”. Ka pasur edhe gjëra që i ke mësuar më me ngadalë se ai: kur me zor flije natën, kur mësove të ecje apo kur mësove shkronjat e para. Kam mësuar kohëve të fundit disa truke që prindërit përdorin, në mënyrë që të të bëj të më dëgjosh. Të kam krahasuar disa herë me vëllain e madh. Zemra ime e dinte se ti ishe i përkryer dhe se do t’i bëjë gjërat kur të ishe gati, por paragjykimet e shoqërisë më bënë të zvarritesha, të mos mendoja dy herë. Më fal!
Ditën tjetër, tek po vrapoja rreth shtëpisë me vëllanë tënd duke u përpjekur që ai të vishej e të ishte gati për shkollë, erdhe gjithë gëzim: “Mami, jam gati! Eja ikim!” Ishe veshur kokë e këmbë duke pritur plot entuziazëm ditën e parë të kopshtit. Gjithë çfarë më the më goditi shumë. E kuptova që ke lindur për të qenë njësoj si vëllai, vetëm se pak ndryshe. Mbase nuk do ta bësh gjithmonë mirë herën e parë, por do t’ja dalësh gjithsesi. E di këtë!
Më vjen mirë që e kam kuptuar këtë mësim herët. Jam e hapur të përqafoj gjithë shtigjet e bukura dhe të papërshkrueshme që ti duhet të mësosh për të përmushur detyrat e vogla dhe të mëdha. Kurrë nuk do të të krahasoj me vëllain tënd, sepse e di që askush s’mund të krahasohet me ty. Më fal për herët e tjera.
Do të të dua gjithnjë,
Mami
Shënim: Kjo letër u përshtat nga një artikull i Pop Sugar, shkruar nga Angela Anagnost Repke, e cila ndihmon vazhdimisht gratë e tjera përmes shkrimeve, në lidhje me gabimet që bëjnë gjatë prindërimit. Shkrimet e saj janë botuar në “Good Morning America”, “ABC News”, “MSN Lifestyle” etj.