Celebrity

Gjyqi për shpifje: Dëshmon Amber Heard

Shkruar nga Anabel

5 Maj 2022

Gjyqi për shpifje: Dëshmon Amber Heard

Amber Heard dëshmoi për herë të parë në gjyqin e ngritur nga Johnny Depp, i cili e akuzon atë për shpifje. Në rrëfimin e saj, Heard pretendoi se Depp ishte i dhunshëm ndaj saj.

“Përpiqem të gjej fjalët për të përshkruar sa e dhimbshme është kjo…është e tmerrshme për mua të qëndroj këtu për javë të tëra dhe të rijetoj gjithçka, të dëgjoj njerëz që i njihja, disa mirë, disa jo, ish-burrin tim me të cilin ndava jetën, të flasin për jetët tona ashtu siç kanë folur,” tha ajo.

“Kjo ka qenë një nga gjërat më të dhimbshme dhe më të vështira që kam kaluar, me siguri,” shtoi Heard.

Ata u takuan gjatë xhirimeve të filmit “The Rum Diary” të Bruce Robinson. Sipas saj, gjatë xhirimeve në vitin 2011, në skenar ishte shkruar që ata do të putheshin. “Nuk m’u duk si një skenë normale në punë, ishte e paqartë. Ai më kapi fytyrën dhe më tërhoqi dhe më puthi,” tha ajo duke shtuar se Depp kishte përdorur gjuhën gjatë puthjes.

Heard dëshmoi se asokohe të dy ishin në një lidhje, ndonëse shtoi se Johnny kishte një sjellje që përpiqej ta joshte sipas saj, por pas filmit secili vazhdoi me punët e veta, derisa ai e ftoi për darkë në shtëpinë e tij në Bevery Hills. Gjatë turit promovues të “The Rum Diary”, ata fjetën bashkë.

“U dashurova kokë e këmbë me këtë burrë," tha Heard në gjykatë. “Kur isha me të, ndjeja elektricitet në trup. Kisha flutura [në stomak]. Nuk i kuptoja gjërat. Ndjeva sikur ky njeri më njihte, më shihte, në një mënyrë që askush nuk më kishte parë.”

Heard dëshmoi për herën e parë që Depp e goditi, sipas saj: “Nuk do ta harroj kurrë. Më ndryshoi jetën.” Ajo shtoi se ai e goditi disa herë pasi ajo kishte bërë shaka me tatuazhin e tij “Wino Forever”.

Heard dëshmoi se Depp ishte shumë xheloz dhe se xhelozia e tij e ktheu marrëdhënien në "një luftë të pafund".

Heard tregoi gjithashtu se Johnny Depp e kërcënoi se do ta vriste teksa të dy ishin në Bahamas duke lundruar në jahtin e tij. “Ai më shtrëngon fort te fyti dhe më mban ashtu për një sekondë dhe më thotë se ai mund të më vriste dhe isha e turpëruar,” tha ajo.

Vajza e tij, Lily-Ross Depp, ishte e mërzitur nga sjellja e babait të saj, tha Heard, dhe Depp e sulmoi Heard sepse mendonte se ajo u kishte treguar fëmijëve të tij për varësitë nga substancat. Më pas, Heard u largua nga ishulli duke marrë me vete Lily-Rose.

Në gjykatë, Depp tundi kokën dhe tha: "Uau".

Johnny Depp ka ngritur padi për faktin që pretendimet dhe akuzat e saj i kanë shkatërruar karrierën dhe kanë ndikuar te reputacioni i tij. Aktori pohon se nuk e ka goditur kurrë Amber Heard, pretendimet e saj për dhunë në familje janë të sajuara dhe ishte ajo që ushtroi dhunë gjatë martesës.

Gjykatësja amerikane që dëgjoi padinë për shpifje të ngritur nga ylli i "Pirates of the Caribbean", refuzoi kërkesën e Heard për të rrëzuar padinë e Depp. Avokatët e aktores pretenduan se Depp kishte dështuar të provonte se ishte shpifur për të në artikullin e vitit 2018 të botuar në The Washington Post, në të cilin Heard e përshkroi veten si një "figurë publike që përfaqëson abuzimin në familje".

Gjykatësja tha se deri më tani ishin paraqitur prova të mjaftueshme për të lejuar vazhdimin e çështjes dhe ajo do t'ia linte jurisë për të vendosur.