Celebrity

'Injorancë dhe e neveritshme': Çfarë ka aktorja Lili Reinhart me deklaratën e Kim?

Shkruar nga Anabel

4 Maj 2022

'Injorancë dhe e neveritshme': Çfarë ka aktorja Lili
Photo Credits: PinkVilla

Në Met Gala, Kim Kardashian u shfaq me një fustan të veshur fillimisht nga Marilyn Monroe në festën e ditëlindjes së presidentit John F. Kennedy në Madison Square Garden në vitin 1962. Kur Kardashian shkoi për të parë veshjen në prill, fustani (i cili është më i shtrenjti në botë, meqë ra fjala) nuk i përshtatej trupit të saj. Për shkak se fustani është një artikull vintage, ai nuk mund të ndryshohej në asnjë mënyrë. Pra, në vend që të vishte thjesht diçka tjetër, Kim vendosi të bjerë nga pesha.

“Ishte një sfidë! Ishte si një rol filmi. Isha e vendosur të përshtatesha në të. Unë nuk kam ngrënë karbohidrate apo sheqer për rreth tre javë”, tha Kardashian për Vogue. "Ne do bëjmë një festë me pica dhe donuts në hotel [pas Gala-s]."

Kështu, Kim tregoi se në 3 javë, ka humbur rreth 7 kilogramë vetëm që fustani t'i bënte. Qasja e saj ndaj dietave ekstreme është kritikuar në internet. Shumë vunë re se Kim, që është mbajtur gjithnjë si simbol i grave të mbushura apo të kolme, tani po "promovon" të rënit nga pesha brenda pak kohe.

Ylli i Riverdale, Lili Reinhart, në një seri postimesh në Instagram Stories ka reaguar rreth situatës dhe, edhe pse nuk ka përmendur emra, duket qartë se për kë po flet.

"Të ecësh në një tapet të kuq dhe të bësh një intervistë ku thua se sa e uritur jeni...sepse nuk ke ngrënë karbohidrate muajin e fundit...vetëm për t'u futur në një fustan të ndyrë?", ka shkruar Reinhart.

Ajo vazhdon:

"Shume gabim. E neveritshme në 100 nivele. Të pranosh hapur mbajtjen e dietave ekstreme, kur e di shumë mirë se miliona të rinj dhe të reja po dëgjojnë çdo fjalë tënde. Injoranca është e pakufij dhe e neveritshme. Ju lutem, ndaloni së mbështeturi këta të famshëm budallenj, të dëmshëm, imazhi i të cilëve rrotullohet rreth trupit të tyre. Në përgjithësi nuk jam një person i zemëruar, por betohem në Zot, toksiciteti i kësaj industrie ndonjëherë më prek vërtet dhe më duhet të shfryhem në Instagram për të çliruar tërbimin tim.”

Lili Reinhart ka folur për imazhin e trupit në të kaluarën, së fundmi në janarin e kaluar. Ajo shkroi për vështirësitë e saj për të pranuar trupin, për People.

“Do të doja të mos isha rritur në një kohë ku media adhuronte vetëm një madhësi të grave”, shkroi Reinhart. “Trupi im më ka përcjellë 25 vite jetë. Të gjitha plagët, lotët, traumat e mia... Do të doja ta dua më shumë, edhe kur nuk duket si 20 vjeç.”

Poll

Burimi: Glamour