Gazetarja ruse që organizoi një protestë televizive kundër luftës lë punën, por refuzon ofertën për azil në Francë
Redaktorja ruse, e cila protestoi kundër pushtimit të Ukrainës nga Moska gjatë një transmetimi lajmesh në televizionin shtetëror, thotë se ajo po e lë punën e saj, por nuk e pranon ofertën e Francës për azil, duke e quajtur veten “patriote”.
Ajo u arrestua dhe një gjykatë në Moskë e gjobiti me 30,000 rubla (32,000 lekë). Por, pavarësisht se u lirua, ajo mund të përballet me ndjekje të mëtejshme, duke rrezikuar vite burg sipas ligjeve të reja.
Ovsyannikova, e cila ka dy fëmijë të vegjël, tha se ajo "e kishte shkatërruar jetën e familjes me këtë gjest", veçanërisht për djalin e vogël i cili ka shenja të ankthit. "Por ne duhet t'i japim fund kësaj lufte vëllavrasëse në mënyrë që kjo çmenduri të mos kthehet në luftë bërthamore," tha ajo. "Shpresoj që kur djali im të jetë më i madh, ai do ta kuptojë pse e bëra."
Lexoni edhe: Gjesti i jashtëzakonshëm! Punonjësja e televizionit shtetëtor rus ndërpret transmetimin e lajmeve
Lufta në Ukrainë: Joe Biden palajmëron Xi Jinping se Kina do të përballet me “kosto” nëse ndihmon Rusinë
Presidenti i SHBA-së Joe Biden do të paralajmërojë homologun kinez Xi Jinping se ai do të përballet me "kosto" nëse Pekini shpëton Rusinë nga sanksionet e forta perëndimore që synojnë ndëshkimin e pushtimit të Moskës në Ukrainë.
Është "një mundësi për presidentin Biden që të vlerësojë se ku qëndron presidenti Xi,” tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
Një burrë belg akuzohet se ka vrarë mësuesen që sipas tij e poshtëroi dikur
Një burrë 37-vjeçar, i cili tha se ishte ndjerë i poshtëruar nga mësuesja e tij në shkollën fillore, ka rrëfyer se e vrau me thikë tri dekada më vonë, sipas prokurorëve belgë.
Gunter Uwents u tha hetuesve se nuk e kishte kapërcyer kurrë përvojën e pretenduar me Maria Verlinden, 59 vjeç, në vitet 1990, kur ai ishte shtatë vjeç.
Ai pretendoi se kishte humbur kontrollin kur e vizitoi në nëntor të vitit 2020 në shtëpinë e saj në fshatin Noorderwijk, afër Antwerpen. Ajo u godit 101 herë me thikë dhe vdiq në kuzhinën e saj.
Verlinden njihej si një e krishterë e devotshme, e cila ndihmonte njerëzit e pastrehë. Çanta me para e viktimës mbeti e paprekur në tryezën e ngrënies pranë trupit, duke sugjeruar se nuk kishte qenë viktimë e një grabitjeje të dhunshme.
Sipas mediave lokale, Uwents u tha prokurorëve se si fëmijë ishte "ngacmuar, poshtëruar dhe nënçmuar" nga shokët e klasës dhe se mësuesja e kishte injoruar atë.
Lufta në Ukrainë: Shumica dërrmuese e ukrainasve do të përballen me varfëri nëse lufta vazhdon, paralajmëron OKB
OKB-ja ka frikë se shumica e ukrainasve mund të përballen me varfëri ekstreme. OKB po bën thirrje për një hetim të viktimave masive të civilëve dhe shkatërrimin e qindra ndërtesave të banimit, shkollave, spitaleve dhe infrastrukturës tjetër civile në Ukrainë.
Sipas OKB-së, nëse lufta vazhdon, 90% e popullsisë së Ukrainës mund të përballet me varfëri dhe cenueshmëri ekstreme ekonomike, "duke e kthyer vendin - dhe rajonin - me dekada prapa dhe duke lënë plagë të thella”.
Parlamenti i Kosovës kundërshton ligjin e ri që njeh bashkimet civile të të njëjtit seks
Parlamenti i Kosovës ka refuzuar një ligj të ri që do të lejonte çiftet e të njëjtit seks të krijojnë partneritete civile. Vetëm 28 nga 120 deputetë votuan pro projektligjit të propozuar nga qeveria e kryeministrit Albin Kurti.
Qeveria e Kosovës shpresonte të bëhej vendi i parë me shumicë myslimane që do të njihte bashkimet e të njëjtit seks. Projektligji i propozuar ishte gjithashtu pjesë e reformave të gjera të kodit civil të Kosovës, të mbështetur nga Bashkimi Europian.
Kryeministri Kurti u kërkoi deputetëve që ta miratojnë projektligjin sepse të drejtat “janë të të gjithëve”.