Dy muaj pas një operacioni pionier, personi i parë që kreu një transplant zemre nga një derr ka ndërruar jetë, njoftoi të mërkurën spitali amerikan që kreu operacionin.
David Bennett ndërroi jetë të martën, tha qendra mjekësore e Universitetit të Maryland, duke shtuar se ai ishte në gjendje të komunikonte me familjen e tij gjatë orëve të fundit.
Mjekët e cilësuan si një "burrë të guximshëm" i cili kishte dhënë një kontribut të madh në avancimin e shkencës mjekësore duke marrë pjesë në operacion.
Spitali nuk dha një shkak të saktë të vdekjes, por tha se gjendja e tij ishte përkeqësuar ditët e fundit. Djali i Bennett, David Bennett Jr, tha se babai i tij e dinte se operacioni i 7 janarit mund të mos funksiononte, por ishte mirënjohës ndaj komunitetit mjekësor për një risi të tillë. Ai e kishte quajtur procedurën "një mrekulli".
“Ne jemi mirënjohës për çdo moment inovativ, çdo ëndërr, çdo natë pa gjumë që përfshiu këtë përpjekje historike,” tha David Bennett Jr në një deklaratë. “Shpresojmë që kjo histori të jetë fillimi i shpresës dhe jo fundi.”
Në janar, mjekët në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Maryland-it thanë se transplanti tregoi se zemra e një kafshe e modifikuar gjenetikisht mund të funksionojë te njeriu pa u refuzuar menjëherë nga trupi.
Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) e cila mbikëqyr eksperimente të tilla, lejoi operacionin me autorizimin "përdorim i dhembshur", një autorizim që jepet për rastet kur një pacient me një gjendje kërcënuese për jetën nuk ka mundësi të tjera për të jetuar.