Franca gjobit McDonald’s: Kompania i detyrohet 1.25 miliardë euro
Kompania globale e ushqimeve të shpejta, “McDonald’s” i detyrohet shtetit francez rreth 1.25 miliardë euro për të shmangur procesin gjyqësor lidhur me një evazion fiskal të kryer në periudhën 2009-2020.
Shmangia e procesit u bë e mundur falë një marrëveshjeje të arritur mes qeverisë franceze dhe kompanisë, që do të paguajë 508 milionë euro gjobë dhe 737 milionë të tjerë në formën e taksave të kthyera.
Sipas autoriteteve bëhet fjalë për marrëveshjen e dytë më të madhe të këtij lloji në historinë e Francës.
Ukraina, e gatshme të punojë për t’iu bashkuar BE-së, por sipas Zelensky-it ka nevojë për armë më të fuqishme
Kreu i Ukrainës, Volodymyr Zelensky përsëriti deklaratën e tij duke thënë se qëllimi i vetëm i Rusisë është të thyejë Ukrainën dhe gjithë Europën përmes saj.
Gjatë konferencës me liderat perëndimor: kancelarin gjerman Olaf Scholz, presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministrin italian Mario Draghi dhe presidentin rumun Klaus Iohannis, ai tregoi se si sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës përbënte një sulm ndaj të gjithë Europës.
Sipas tij mënyra më e mirë për të demonstruar pozitën e përbashkët dhe të fortë është mbështetja në integrimin e Ukrainës në Bashkimin Europian, duke shtuar se Ukraina është e gatshme të punojë fort për t'u bërë anëtare e BE-së.
Zelensky tha gjithashtu se numri i përgjithshëm i raketave ruse të përdorura kundër popullsisë civile në Ukrainë ka arritur në 3,000 këtë muaj, duke shtuar se sa më shumë armë të fuqishme të kenë nga Perëndimi, aq më shpejt do të jetë në gjendje t’i japin fund sulmeve ruse.
Presidenti Biden: Rritja e çmimit të benzinës, kosto që duhet paguar për Ukrainën
Kreu i SHBA, Joe Biden është shprehur se rritja e çmimeve të benzinës në gjithë Amerikën është "kostoja që duhet të paguajnë për luftën e ndodhur në Ukrainë".
Gjatë një interviste të fundit, presidenti kujtoi se që prej fillimit e kishte bërë të qartë që pasojat financiare dhe humanitare të luftës do të ndiheshin kudo.
“Opsioni për të mos bërë asgjë ishte më i keq”, -tha Biden.
Sanksionet e ashpra të vendosura ndaj Rusisë si rezultat i luftës, kanë bërë që çmimet e benzinës të rriten në SHBA dhe në mbarë botën.
4 liderat europianë, pro perspektivës së menjëhershme të pranimit për Ukrainën
Samiti i BE-së do të vendosë javën e ardhshme, nëse Ukraina do të marrë statusin e kandidatit.
Krerët e shteteve dhe të qeverive të Gjermanisë, të Francës, të Italisë dhe të Rumanisë u shprehën në Kiev në favor të dhënies së statusit të menjëhershëm të kandidatit për në BE-në Ukrainës dhe republikës fqinje të Moldavisë. Kancelari Federal Olaf Scholz theksoi: “Ukraina është pjesë e familjes evropiane”.
Komisioni i BE-së dëshiron të paraqesë sot (17 qershor) rekomandimin për dhënien e statusit të menjëhershëm të kandidatit për Ukrainën dhe Moldavinë, por vendimi për këtë duhet të merret njëzëri dhe kjo mund të ndodhë ndoshta në samitin e javës së ardhshme në Bruksel.
Burimi: CNN, BBC