Pikërisht ajo që nuk i duhej një ekonomie botërore me probleme – një konflikt që përshpejton inflacionin, trondit tregjet dhe sjell telashe për të gjithë. Koha do të tregojë nëse trazirat aktuale midis Rusisë dhe Ukrainës do të përshkallëzohen në Luftën e Tretë Botërore, por duket se është e sigurt që do të ketë një efekt negativ në mbarë botën. Konflikti kërcënon të shkaktojë dëme të rënda ekonomike në disa vende dhe industri – dëme që mund të nënkuptojnë vështirësi për miliona njerëz.
Sa janë mundësitë që kriza Rusi-Ukrainë të përshkallëzohet në Luftën e Tretë Botërore?
Ndonëse situata në kufirin Rusi-Ukrainë është e tmerrshme, ende nuk përfshin një konflikt të drejtpërdrejtë ushtarak midis NATO-s dhe Rusisë. Teksa Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar shihnin që Rusia po grumbullonte trupa ushtarakë për të pushtuar Ukrainën, tërhoqën shpejt kontingjentin e vogël të trajnerëve dhe këshilltarëve ushtarakë. Nëse Rusia kërcënon një shtet anëtar të NATO-s, do të prekte një vijë të kuqe absolute për NATO-n dhe Perëndimin. Neni 5 i Traktatit të NATO-s detyron të gjithë aleancën ushtarake perëndimore të mbrojë çdo shtet anëtar që është nën sulm.
Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, pavarësisht dëshirës së saj të deklaruar për të qenë pjesë; diçka që presidenti Putin është i vendosur ta ndalojë. Ndërkohë, vendet e Europës Lindore si Estonia, Letonia, Lituania dhe Polonia, të cilat më parë ishin pjesë e "orbitës" së Moskës gjatë epokës sovjetike, janë të gjitha anëtare aktuale të NATO-s. Këto shtete janë të shqetësuara se ushtarët rusë nuk do të ndalen në Ukrainë dhe në vend të kësaj do të sulmojnë vendet e Baltikut duke pretenduar se po shpëtojnë pakicat etnike ruse. Prandaj, si pengesë, NATO ka vendosur përforcime për shtetet anëtare të Europës Lindore.
Për më tepër, Shtetet e Bashkuara dhe shumë shtete europiane kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë pas pushtimit. Sulmet kibernetike, për të cilat ekspertët kanë paralajmëruar tashmë, mund të përdoren si "hakmarrje". Këto mund të godasin bankat, korporatat, individët, madje edhe infrastrukturën thelbësore kombëtare dhe janë jashtëzakonisht të vështira për t'u gjurmuar.
Si do të ndikojë në botë konflikti?
Nafta: Konflikti gjeopolitik i Ukrainës dhe Rusisë do të ndikojë te tregjet globale të mallrave. Çmimi i një fuçie nafte bruto po arrin në 100 dollarë. Sikur kjo të mos ishte mjaft e tmerrshme, lufta gjithashtu mund të ndalojë prodhimin dhe eksportin e një sërë artikujsh të tjerë. E gjithë kjo pritet të ketë një ndikim thelbësor në ekonomitë globale dhe në inflacionin e karburantit, i cili tashmë ka probleme në shumë vende.
Rusia është prodhuesi dhe eksportuesi i dytë më i madh në botë i naftës së papërpunuar. Vendi eksporton 5 milionë fuçi naftë bruto në ditë, ku më shumë se gjysma e saj vjen në Europë dhe 42% në Azi. Ndërprerjet e furnizimit me eksportuesin e dytë më të madh në botë të naftës bruto, nga ana tjetër, do të kenë një ndikim të madh në tregun global të naftës.
Gazi natyror: Tregu i naftës bruto nuk do të jetë i vetmi i prekur. Rusia ka gjithashtu rezervat më të mëdha të gazit natyror në botë dhe siguron afërsisht 35% të gazit natyror të Europës. Një sasi e madhe e kësaj dërgese kalon përmes Ukrainës, ku mblidhen kostot e tranzitit. Çdo ndërprerje në dërgesat e naftës dhe gazit natyror do të rezultojë në mungesë të madhe në Europë, si dhe një rritje të konsiderueshme të çmimeve.
Sulmi i Rusisë mund të ngadalësojë rimëkëmbjen ekonomike të Europës duke rritur gjithnjë e më shumë çmimet. Një ndërprerje e gazit natyror mund të dëmtojë ekonominë e kontinentit.
Lufta Bërthamore: Ambasadori i Ukrainës Vadym Prystaiko paralajmëroi botën duke deklaruar se presidenti rus Vladimir Putin ka nënshkruar një marrëveshje që e lejon atë të vendosë armë në territoret rebele të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk. Prystaiko deklaroi në një intervistë të transmetuar në BBC Newsnight se i gjithë arsenali i Moskës përfshin armë bërthamore dhe se Putini do të kërcënojë me sulm bërthamor në mënyrë që të vendosë dominimin e tij mbi një pjesë më të madhe të vendit.
Tregjet financiare: Mund të bëhen edhe më kaotike nëse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë me atë që disa e quajnë "opsioni bërthamor": Heqja e Rusisë nga rrjeti i pagesave SWIFT, një shërbim mesazhesh që lidh mijëra banka dhe u lejon atyre të transferojnë pagesa në mbarë botën. Një veprim i tillë do të izolonte Rusinë dhe do të ndalonte transferimin e fitimeve nga prodhimi i energjisë, të cilat përbëjnë më shumë se 40% të të ardhurave të vendit. Por mbyllja e Rusisë nga financat ndërkombëtare mund të rezultojë gjithashtu në boomerang, duke dëmtuar kompanitë amerikane dhe europiane që bëjnë biznes me kompanitë ruse.
Kriza të tjera: Pas ndërhyrjes ushtarake të presidentit Vladimir Putin në Ukrainë, analistët financiarë anembanë globit ngritën shqetësimin për rritjen e çmimeve të arit dhe rënien e çmimeve të naftës dhe gazit të enjten. Sanksionet kundër Rusisë mund të shkaktojnë kërdi në ekonominë globale. Rusia është prodhuesi më i madh në botë i grurit dhe Ukraina renditet e pesta. Rusia eksporton gjithashtu 23% amoniak, 17% potas, 14% ure dhe 9% fosfate.
Në një kohë kur Kina tashmë ka lënë mënjanë një pjesë të madhe të prodhimit të saj të uresë dhe fosfateve për përdorim të brendshëm, humbja e produkteve ruse do të rezultonte në mungesa shtesë dhe çmime më të larta. Për shkak se Rusia është një eksportues i madh i nikelit, paladiumit, aluminit, platinit, çelikut dhe bakrit, konflikti mund të dëmtojë zinxhirët e furnizimit global. Çdo ndërprerje do të rezultojë në rritje të konsiderueshme të çmimeve.
“[Konflikti] ka rrezik për financat globale po aq sa ka për Rusinë,” është shprehur Elina Ribakova nga Instituti i Financave Ndërkombëtare.
Artikuj të tjerë të rekomanduar:
Burimet ndihmëse: The Economic Times, Republic World