90 minuta dramë, aksion, kthesa të befasishme. Seria finale e sezonit të parë të $NOB do t’i japë përgjigje shumë pyetjeve, por deri atëherë, shikuesit kanë teoritë e tyre. Duke bashkuar disa “copëza” të episodeve të mëparshme, trailerave përmbledhës dhe videoeve prezantuese të personazheve të publikuara para fillimit të sezonit, teoritë më të përmendura nëpër komente ose në inbox-in e @snob_tvseries janë:
View this post on Instagram
1. Kristela dhe Luisi janë motër e vëlla.
Një ndjekës është i mendimit se Kristela dhe Luisi janë motër e vëlla. Eduardi, i ati i Kristelës, në një moment i thotë Evës, bashkëshortes, se po të mos kishte qenë ai, ajo do të kishte ngelur prostitutë bandash. Ndërkohë Luisi i tregon Xhesit se ëma ka qenë prostitutë. Thënë këto, disa mendojnë se Eva e ka braktisur Luisin kur ai ka qenë fare i vogël.
2. Admiri po tradhton Paulinin.
Shumë detaje i kanë bërë disa shikues të mendojnë se Admiri po thur një komplot kundër Paulinit. Fakti që ky i fundit i dha një mundësi Albanit, shtojmë këtu edhe pjesën kur e lejoi që të merrte kalin e tij (të cilin nuk e prekte askush) mund ta ketë bërë Admirin të ndihet i kërcënuar nga Albani dhe pse jo, të bëhet xheloz. Takimet e tij misterioze me Luisin lënë vend për pikëpyetje. Në trailerin e serisë finale, Luisi e pyet nëse ai dyshon për diçka dhe Admiri përgjigjet “s’ka shanse”. Ndoshta e kanë fjalën për Paulinin. Fakti që Luisi u gjend në kompani për të marrë dosjen pikërisht në momentin kur ishte Albani, mund të tregojë se dikush (Admiri???) e ka lajmëruar.
3. Bojkeni ka shtypur dikë me makinë.
Bojkeni e ka frikë makinën. Në darkën e organizuar nga Tesa dhe Franci, ai i thotë të ëmës, Lindës, që do ishte mirë ta kishin lënë në burg, para se ajo t’i mbyllë gojën me dorë. Dosja e aksidentit gjendej në kompaninë e Petritit, pra të atit, që ka bërë disa shikues të mendojnë se Bojkeni është shkaktar i një aksidenti të cilin familja e tij e fuqishme ka arritur ta fshehë.
4. Luisi ka shtypur dikë.
Luisi ishte në shtëpinë e babait të Endit, Ilirit, dikur njeriu më i besuar i Petritit. Iliri dhe Endi rezultojnë të zhdukur. A ka ai lidhje me ta? Mos ndoshta është Luisi ai që ka shtypur dikë dhe rrezikoi edhe jetën për të siguruar dosjen?
View this post on Instagram
5. Paulini ka vrarë Gentin.
“Punën me atë ushtarin ia zgjidha” i thotë Petriti Zefit në takimin gjatë mbrëmjes së ballos. Përpos kësaj, kur Tesa i rrëfen Joanit historinë e vdekjes së vëllait, i thotë se ai u vra nga djemtë e një bande pasi morën vesh se Genti ishte i infiltruari i një ministri. Gjithashtu Paulini i ka thënë Tesës se e ka njohur vëllain e saj. Pra, ushtari që përflitet mes Petritit dhe Paulinit është Genti.
6. Genti është gjallë.
Tesa i tha Joanit se makina e Gentit u dogj e gjitha dhe nuk arritën dot që t’i merrnin trupin. Mos vallë nuk kishte asnjë brenda makinës?
Finalja e $NOB transmetohet të dielën, ora 20:00 në Top Channel; ritransmetimi të mërkurën, ora 23:30. Në $NOB.al mund t'i shihni të gjitha seritë me titra shqip dhe anglisht, pa asnjë ndërprerje publicitare.